TIRANË- Xhemal Lici, kambisti që ra pre e grabitjes nga i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, ka dëshmuar sot para togave të zeza në GJKKO, pjesë e dosjes së gjerë “Plumbi i Artë”. Sipas dëshmisë së Licit, ngjarja ka ndodhur që në orët e para të mëngjesit, rreth orës 06:30, teksa kishte dalë nga shtëpia në lagjen Kala në Elbasan.
Atë ditë, kambisti mbante me vete në një çantë 12 milionë lekë të reja. Deri në këto momente asgjë s'kishte ndodhur. Më pas, ai ishte kthyer në shtëpi për të mbyllur derën dhe çantën me para e kishte lënë në bagazh. Në këtë moment, 4 persona i kanë dalë përpara dhe njëri prej tyre e ka qëlluar në gjoks dhe këmbë.
“Unë dilja në 6:30 nga shtëpia në lagjen Kala në Elbasan. Dola, nuk pandeha se do më qëllonin. Dola dhe futa lekët në makinë. Kisha 12 milionë lekë të reja me vete. I kisha në një çantë lekët. I lashë lekët në bagazh dhe u ktheva të mbyll derën e shtëpisë. Pastaj pash që ishin 4 vete. Më qëlloi njëri, 2 herë në gjoks dhe 2 në këmbë”, tha Lici.
Pas ngjarjes, Lici rrëfen se vëllai i Talo Çelës, Bujar Çela i kishte shkuar vazhdimisht në dyqan për ta pyetur nëse i kishte identifikuar personat që e sulmuan. Ai tregon se ka debatuar me Çelën, duke e përzënë madje nga dyqani, ndërsa sa i përket Talos, thotë se nuk e njihte dhe se e kishte parë në televizor një vit para ngjarjes së Nuredin Dumanit.
“Ai punonte taksixhi në të zezë, thyente ndonjë 20-30 euro. Kur nuk kishte njerëz aty, pyeste. I thashë, ‘ty nuk të vjen keq për mua? Duket sikur ke mizë në kockë. Ke ardhur deri këtu, mos të të shoh më në dyqan.’ Një vit para ngjarjes së Dumani, e pashë Talo Çelën në një intervistë në televizion dhe e njoha nga përmasat e trupit si një nga personat që më goditi gjatë ngjarjes. Ai ka qenë pas Dumanit gjatë grabitjes,” tha Lici.
I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani ka rrëfyer në dëshminë e tij në GJKKO, momentin e grabitjes së kambistit në Elbasan duke zbuluar bashkëpunëtorët e tij. Gjatë dëshmisë së tij, Dumani ka rrëfyer se ka qenë ai që e ka qëlluar kambistin, ndërsa ka zbuluar edhe bashkëpunëtorë të tij ishin Dorian Shkoza, Ardian Çollaku, Gent Sharra dhe Talo Çela./ZËRI