VLORË- Ksenofon Konomi, pronari i tufës së kuajve që përpara disa ditësh u qëlluan me armë gjahu në mënyrë barbare pranë parku kombëtar të Llogarasë, ka vendosur të flasë. Ai zbuloi se ka mbledhur vetë prova për rastin, të cilat ia ka vënë në dispozicion "OPGJ-së" që po merret me hetimin e dosjes së tij. Sipas pronarit të tufës, 22 kuaj janë qëlluar me armë gjahu. Katër prej tyre kanë ngordhur menjëherë, ndërsa pjesa tjetër është shpërndarë në zonë, disa të lënduar dhe disa drejt ngordhjes për shkak të plagëve.
“22 kuaj që ishin atje në malin e Llogorasë që janë goditur me armë gjahu, me çifte, janë gjetur edhe plumbat në kurrizin e trupin e kafshës. Me veterinerin kemi shkuar, përveç mungesës së policisë që nuk ka ardhur në vendngjarje, as tek të plagosurat as tek vendi ku janë kafshët. Kam denoncuar në polici për këtë situatë. Jam ndodhur i vetëm, përveç medias, pa mbështetje. Duke i kërkuar dhe policisë që të vijë në vendngjarje dhe nuk ka ardhur njeri. Unë sa kam pasur mundësi kam mbledhur prova, kam sjellë disa gëzhoja që i kam dorëzuar tek OPGJ-ja”.
Për lëvizjet e institucioneve për zbardhjen e ngjarjes, u shpreh i zhgënjyer me pretendimin se kuajt janë përdorur shpesh herë edhe nga Policia për gjetjen e turistëve apo nga pushteti lokal dhe zjarrfikësit në raste zjarresh. Kështu që tani ndjehet sikur është braktisur.
“Më vjen ashtu se policia në këto momente duhet të punonte të nxirrte të vërtetën se i kam ndihmuar në kërkim të turistëve, në kohë zjarresh. Në kurrizin e atyre kafshëve është ndihmuar edhe policia, edhe zonat e mbrojtura dhe ish-prefeketi. Fillimisht mund të ishin dyshime se i kanë ngrënë kafshët e egra, po ku ka kafshë të egër me plumb në gojë? Kam shumë për të thënë, po nuk flas dot, jam në gjendje shumë të keqe. Ata kishin tetë vjet atje dhe s’i kishte ngacmuar njeri. Nga na doli kjo kafshë me pushkë në gojë? Zoti qoftë dëshmitar. Çfarë konkurrence?! I qëlluan për 5 kuintal ujë… M’i vranë vetëm se pinë ujë te lerat,” tha ai.
Në komunikatën zyrtare, policia ka raportuar vetëm për një kalë të plagosur, ndërsa autori i dyshuar është proceduar në gjendje të lirë./ZËRI

