TIRANË- Punonjësit e minierës së bakrit në Spaç kanë protestuar sot përpara godinës së Kuvendit, duke përshkallëzuar qëndrimin e tyre, që vijon prej disa javësh.
Minatorët kërkojnë njohjen e sindikatës së krijuar prej tyre dhe nënshkrimin e një kontrate kolektive, që sipas tyre do të garantonte paga të drejta dhe kushte të sigurta pune.
Me pankarta në duar, minatorët e Spaçit kërkojnë të drejtat e tyre, kushte më të mira pune si edhe pensione dinjitoze për punën që kanë bërë ndër vite.
“Duam të drejtat tona”, brohorasin protestuesit jashtë Kuvendit, ndërsa brenda në Parlamentit mbahet sot seanca e radhës plenare.
Minatorët shprehen se do të vazhdojnë protestën derisa kërkesat e tyre të merren në konsideratë dhe të nisin bisedimet formale për kontratën kolektive.
Kompania, ndërkohë, këmbëngul në respektimin e procedurave ligjore për njohjen e sindikatës përpara çdo negociate.
Prej disa javësh minatorët e Spaçit kanë dalë në protesta të vazhdueshme, ku nuk kanë munguar as përplasjet me policinë.
Minatorët shprehen se protesta e tyre do të vazhdojë deri në një reagim nga kompania turke. “TETE Albania”, që administron minierën. Kjo e fundit nuk ka dhënë ende asnjë sinjal për dialog me përfaqësuesit e sindikatës, të cilët janë shprehur se kompania po hakmerret me shkarkime kolektive të padrejta ndaj punëtorëve.
Kompania ka refuzuar të ulet në bisedime me sindikatën, duke argumentuar se ajo nuk plotëson kriteret ligjore. Ndërkohë, minatorët e konsiderojnë këtë qëndrim si të paligjshëm dhe theksojnë se janë në të drejtën e tyre për të protestuar. Greva, sipas tyre, do të vazhdojë derisa të arrihet një marrëveshje për dialog me kompaninë turke. /ZËRI
