TIRANË- Ministeriali i Energjisë së BE-së ka ndëshkuar Shqipërinë nga projektet në fushën e energjisë, për shkak se qeveria shiptare nuk ka përmbushur detyrimet që ishte zotuar në këtë sektor. Në vendimin e marrë në datën 18 Dhjetor në Vjenë, Shqipërisë i ngarkohen një sërë detyrash që duhet të përmbushë deri në Korrikun e vitit të ardhshëm. Në vendim thuhet se qeveria shqiptare duhet të raportojë gjatë vitit 2026 se çfarë hapash do ndërrmarë në korrigjimin e problemeve të konstatuara ne politikat e Energjisë.
Sipas dokumentit të Ministerialit të energjisë, Shqipëria nuk ka miratuar dhe zbatuar ligjet, rregulloret dhe dispozitat administrative të nevojshme për t’u përputhur me Direktivën e Bashkimit Europian, që lidhet me përgatitjen për rrezikun në sektorin e energjisë elektrike.
Bashkimi Europian ka vendosur se qeveria shqiptare duhet të raportojë gjatë vitit 2026 se çfarë hapash do të ndërmarrë në korrigjimin e problemeve të konstatuara në politikat e energjisë.
“Shqipëria duhet të marrë të gjitha masat e duhura për të ndrequr shkeljen e identifikuar në nenin 1 dhe për të siguruar menjëherë pajtueshmërinë me ligjin e Komunitetit të Energjisë. Shqipëria do të raportojë rregullisht në Sekretariat dhe në Grupin e Përhershëm të Nivelit të Lartë në lidhje me masat e marra në vitin 2026”, – theksohet në vendimin e Ministerialit të Energjisë së Bashkimit Europian.
Nëse shkeljet e Shqipërisë nuk janë korrigjuar deri më 1 korrik 2026, Sekretariati ftohet të fillojë një procedurë sipas nenit 92 të Traktatit të Komunitetit të Energjisë, që parashikon pezullimin e disa të drejtave që rrjedhin nga zbatimi i këtij traktati për palën përkatëse, duke përfshirë pezullimin e të drejtave të votimit dhe përjashtimin nga mbledhjet ose mekanizmat e parashikuar në këtë traktat.
VENDIMI I PLOTË
Mos-përputhje e Shqipërisë me Traktatin e Komunitetit të Energjisë (Çështja ECS-5/24) Këshilli Ministror i Komunitetit të Energjisë konstaton se:
Neni 1 – Mos-përmbushje nga Shqipëria
Shqipëria ka dështuar të miratojë dhe zbatojë, deri më 31 dhjetor 2023, legjislacionin, rregulloret dhe aktet administrative të nevojshme për t’u përputhur me:
–Direktivën (BE) 2019/944 (tregu i brendshëm i energjisë elektrike),
–Rregulloren (BE) 2019/941 (përgatitja ndaj rreziqeve në sektorin e energjisë),
–Rregulloret (BE) 2019/942 dhe 2019/943, si dhe një sërë rregulloresh teknike të BE-së mbi:
–alokimin e kapaciteteve,
–menaxhimin e kongjestionit,
–balancimin e energjisë,
–emergjencat dhe operimin e sistemit të transmetimit.
Gjithashtu, Shqipëria nuk ka njoftuar Sekretariatin për masat përkatëse, duke shkelur:
–vendimet e Komunitetit të Energjisë të viteve 2021 dhe 2022,
–si dhe nenet 6 dhe 89 të Traktatit të Komunitetit të Energjisë.
Neni 2 – Veprimet pasuese
1.Shqipëria duhet të marrë menjëherë të gjitha masat e nevojshme për të korrigjuar shkeljen dhe për t’u përputhur me të drejtën e Komunitetit të Energjisë.
2.Shqipëria duhet të raportojë rregullisht gjatë vitit 2026 mbi masat e marra.
3.Nëse shkelja nuk korrigjohet deri më 1 korrik 2026, Sekretariati ftohet të nisë procedurë sanksionuese sipas Nenit 92 të Traktatit.
Neni 3 – Hyrja në fuqi
Vendimi u drejtohet palëve dhe institucioneve të Traktatit dhe hyn në fuqi menjëherë pas miratimit.
Miratuar në Vjenë, më 18 dhjetor 2025.