
TIRANË- Ministria e Financave ka hapur një ‘tender’ dhe kërkon që të hetojë Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor Rural, pasi kanë konstatuar disa parregullsi serioze, mashtrime, konflikt interesi në disa projekte të financuara nga Programi IPARD II. Në dokumentin e publikuar nga VoxNews rezulton se në këtë formë pranohet për herë të parë abuzimi me fondet e BE-së për bujqësinë, nëpërmjet programit IPARD II.
Pas dyshimeve se këto para kishin përfunduar jo në duart e duhura, Bashkimi Evropian ndaloi vijimin e mëtejshëm të programit dhe ngriu dhjetëra miliona euro që ishin planifikuar të shkonin për bujqësinë shqiptare.
“Gjatë zbatimit të Programit IPARD II, në Shkurt 2021. Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) kreu një hetim në Agjencinë IPARD, duke marrë 54 dosje nga thirrjet 1 dhe 2. Në Korrik 2023, Komisioni Evropian (DG AGRI) njoftoi autoritetet shqiptare se për shkak të informacionit paraprak të marrë nga OLAF, Komisioni do të ndërpresë përkohësisht rimbursimin e pagesave për Shqipërinë deri në marrjen e masave korrigjuese. Në raport, janë identifikuar disa gjetje me parregullsi serioze, mashtrime, konflikt interesi në disa projekte të financuara nga Programi IPARD II, si dhe mos arritja e AZHBR-së për të identifikuar sinjalet e parregullsive, dhe parandalimin tyre,”- thuhet ndër të tjera në dokument.

Fondi limit i këtij tenderi të hapur është 37.227.990 lekë ose 377.221 euro, ndërsa kohëzgjatja e kontratës është 165 ditë nga data e nënshkrimit të kontratës.
Drafti në fund do të duhet t’i dorëzohet zv.Ministres së Financave.
“Raportet do të hartohen në gjuhen shqipe dhe anglisht dhe duhet të dorëzohen në 4 kopje (kopje të shtypura) dhe një kopje në versionin elektronik (MS Ëord Format). Është e rëndësishme që ekipi i audituesve të mbajë kontakte dhe bashkëpunim të ngushtë me ZKA. ZKA duhet të informohet për ecurinë e auditimit. Kontraktori duhet të hartojë një draft-raport, me rezultate të qarta dhe koncize, dhe një Raport Përfundimtar. Raportet duhet t'i dorëzohen Zyrtarit Kombëtar Autorizues. Të gjitha dokumentet duhet t'i drejtohen ZKA-së, znj. ADELA XHEMALI, zëvendësministër i Financave” thuhet në këto dokumente.

Shqipëria është akredituar nga Komisioni Evropian për zbatimin e Programit IPARD II me firmosjen e Marrëveshjes së Financimit në Maj të vitit 2018, me një buxhet prej 94.3 milion Euro, prej të cilave 71 milion Euro ishte kontributi i BE dhe 23.3 milion Euro kontributi kombëtar.
“Gjatë zbatimit të Programit IPARD II, në shkurt 2021, Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) kreu një hetim në Agjencinë IPARD, duke marrë 54 dosje nga thirrjet 1 dhe 2. Në Korrik 2023, Komisioni Evropian (DG AGRI) njoftoi autoritetet shqiptare se për shkak të informacionit paraprak të marrë nga OLAF, Komisioni do të ndërpresë përkohësisht rimbursimin e pagesave për Shqipërinë deri në marrjen e masave korrigjuese. Në raport, janë identifikuar disa gjetje me parregullsi serioze, mashtrime, konflikt interesi në disa projekte të financuara nga Programi IPARD II, si dhe mos arritja e AZHBR-së për të identifikuar sinjalet e parregullsive dhe parandalimin tyre” thuhet në këtë dokument.
“Për këtë qëllim, në rastet kur janë identifikuar parregullsi apo mashtrime gjatë zbatimit të programit, ZKA mund të kërkojë një vlerësim të zbatimit të procedurave nga strukturat përgjegjëse nëpërmjet një auditi të jashtëm të pavarur sipas standardeve ndërkombëtare të auditimit,”- vijohet më tej në dokumente.

Si nisi zbulimi i skandalit me fondet?
Lajmi për abuzimet fillimisht u publikua në media, ku edhe u bë me dije se Komisioni Europian kishte pezulluar grantet për bujqësinë shqiptare nga programi IPARD, për shkak të korrupsionit dhe mos respektimit të procedurave ligjore nga AZHBR në shpërndarjen e tyre. Vendimi u mor pas më shumë se 2 vite hetime nga OLAF, gjatë së cilave u zbulua se autoritetet shqiptare, përkatësisht AZHBR, nuk i kishin respektuar procedurat ligjore në shpërndarjen e granteve për fermerët duke bërë që një pjesë e madhe e fondeve të vidheshin. Madje disa raste u verifikuan dhe u zbulua se paratë ishin dhënë për investime fantazmë, të cilat nuk ekzistojnë fare.
Pas publikimit të skandalit, Ministria e Bujqësisë në një reagim për mediat theksoi se programi i mbështetjes nuk është ndërprerë, e se puna vijonte normalisht. Madje, tashmë ish-ministrja, Frida Krifca pretendonte se ato ishin procedura normale të Bashkimit Europian në kushtet kur ka nevojë të verifikohen shpenzime të dyshuara për aktivitet jo konform rregullave të përcaktuara. Kjo dosje tani është në duart e SPAK. Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bëri me dije më 28 shtator të vitit të shkuar se kishte nisur hetimet. Lajmin e dha vetë kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili gjatë një takimi informal me gazetarët u shpreh se hetimi ishte në fazën e verifikimit paraprak./ZËRI