TIRANË- Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, i ka bërë thirrje qytetarëve kundër përpjekjeve për sigurimin e dokumenteve të emigracionit përmes martesave.
Në njoftimin e saj të publikuar në rrjetet sociale, Ambasada thekson se mashtrimi përmes martesës është një krim federal në Shtetet e Bashkuara dhe ndëshkohet me pasoja serioze ligjore.
“Mashtrimi për martesë është një krim federal në Shtetet e Bashkuara dhe mund të çojë në dënime serioze”, thekson ambasada.
Ambasada u bën thirrje qytetarëve që të ndjekin gjithmonë rrugët ligjore të emigracionit për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.
“Gjithmonë zgjidhni një proces të ligjshëm emigracioni për të hyrë në vend dhe për të siguruar dokumentacionin e duhur”, përfundon mesazhi i Ambasadës.
Pak ditë më parë presidenti Donald Trump pezulloi programin e Lotarisë Kombëtare, nga e cila preken dhe një numër i madh qytetarësh shqiptarë, ndërsa prej muajsh politikat e emigracionit drejt SHBA-ve janë shtrënguar ndjeshëm.