
VLORË- Mbledhja e sotme e Këshillit Bashkiak të Vlorës është zhvilluar mes tensionesh. Një grup qytetarësh nga zona e Orikumit janë futur në sallën e mbledhjes dhe kanë kërkuar "llogari" për një leje ndërtimi që është dhënë nga Bashkia. Sipas tyre, ata nuk janë pyetur gjatë procesit të konsultimit publik. Ndaj në këto kushte kanë zgjedhur që të shkojnë vetë në sallë dhe të bëjnë me dije qëndrimin e tyre.
Banorët thonë se në zonë u ka shkuar një “kuçedër” (qytetari i referohet oligarkëve që kanë ndërtuar vilat në Palasë dhe Dhërmi), që po u merr ujin.
"Kemi ardhur se po na zë kuçedra ujin, po vjen kuçedra dhe po na zë frymën. Ne nuk kemi ardhur të bëni luftë ju këtu të ziheni me njëri-tjetrin, të zgjidhni problemet politike tuajat. Ky popull që është këtu është demokrat, socialist, zogist, është ballist, është komunitet i zonës sonë i Dukatit, Tragjasit, Orikumit dhe kemi ardhur të na zgjidhni problem sepse kryetari i Bashkisë ka dhënë në shkellje të ligjit, pa na pyetur fare, ka dhënë një leje ndërtimi pa ana pyetur fare dhe na ka bllokuar jetën.
Po na merr jetën për të bërë një fshat që natyra nuk e ka bërë, si ka dhënë as ujë, asgjë, për të bërë një fshat turistik andej apo ça do të bëjë ai dhe të më shpërgulë mua, të më marrë jetën e brezave tonë e fëmijëve tonë, kjo është e padrejtë. Këtë na zgjidhni! Mos e hidhni në politikë. Nuk kemi ardhur për politikë,"- tha qytetari.
Megjithatë, edhe pse ata e kanë bërë publik shqetësimin e tyre, ende nuk ka një përgjigje apo qëndrim nga ana e Bashkisë për të zgjidhur problemin që banorët e zonës parashtruan. Mesa duket, investimet strategjike vlejnë vetëm për turistët, por u "vështirësojnë jetesën", banorëve të zonës./ZËRI