TIRANË- Një 26-vjeçar i identifikuar si Ersi Çekani është arrestuar një ditë më parë nga policia, ndërsa 4 të tjerë janë në procedim, pasi kanosën dhe shantazhuan një 29-vjeçar dhe familjarët e tij. Ka qenë i riu ai, i cili ka kallëzuar në polici se kërcënohej dhendiqej nga Çekani për një borxh të pashlyer.
Burime bëjnë me dije se Çekani dhe dy vëllezërit e tij, njëri ende në kërkim, e kërcënonin prej kohësh 29-vjeçarin. Ata pretendonin se ky i fundit, u ka një borxh prej 30 mijë eurosh marrë në Spanjë. Mësohet se Çekani e ka kërcënuar se do e vriste nëse nuk i kthente borxhin, madje edhe duke e ndjekur, ndërsa i dërgonte fotot e banesës si formë kërcënimi.
Ndërkohë, ditën e djeshme, 3 vëllezërit nga Librazhdi, të cilët janë me precedent kriminal për armëmbajtje pa leje dhe vepra të tjera penale, kanë marrë 3 shokë të tjerë dhe kanë ardhur për të kërcënuar sërish të riun. Mirëpo, në kuadër të opëracionit "Pretendimi", policia arrestoi Ersi Çekanin, në kërkim u shpall vëllai i tij. Ndërsa vëllai i tretë së bashku me 3 shokët e tjerë u proceduan në gjëndje të lirë.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni policor i koduar “Pretendimi”.
Kanosën dhe shantazhuan një 29-vjeçar dhe familjarët e tij, për dhënien e një shume parash që pretendonin se këta shtetas ia kishin borxh, identifikohen 6 autorët e dyshuar (3 prej tyre vëllezër).
Vihet në pranga 1 prej tyre, procedohen penalisht 4, punohet për kapjen e tjetrit.
Sekuestrohet 1 automjet.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, pas njoftimit të marrë se një 29-vjeçar dhe familjarët e tij po kanoseshin për dhënien e një shumë parash, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në kuadër të operacionit policor të koduar “Pretendimi”, u identifikuan 5 autorët e dyshuar, nga të cilët:
-u arrestua në flagrancë shtetasi E. C., 26 vjeç;
-nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. C., 35 vjeç, R. B., 35 vjeç, S. B., 19 vjeç, banues në Librazhd dhe L. F., 32 vjeç, banues në Peshkopi;
-u shpall në kërkim shtetasi A. C., 28 vjeç, vëllai i 26-vjeçarit të arrestuar dhe i 35-vjeçarit të proceduar.
Nga hetimet dyshohet se këta 6 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kanosur dhe shantazhuar nëpërmjet celularit, 29-vjeçarin dhe familjarët e tij, me pretendimin se këta shtetas i kishin borxh një shumë të konsiderueshme parash.
Punohet për kapjen e shtetasit A. C. dhe për dokumentimin e rrethanave të rastit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.