DURRËS-Bashkëshortja e Pjetër Kodhelit, i cili u vra me thikë nga djali i tij Marjan Kodheli mesditën e 28 tetorit në shtëpinë e tyre në Shkallnur të Durrësit ka rrëfyer skenën e ngjarjes së rëndë. Nëna shprehet se i biri kishte kaluar disa faza depresioni dhe ishte i mbyllur në vetvete. Duke rrëfyer detaje nga dita e ngjarjes, ajo tregon se gjithçka ndodhi në 2 minuta dhe nuk kishte asnjë debat.
Gruaja e të ndjerit ka treguar se në momentin kur ndodhi krimi i rëndë, ndodhej jashtë banesës për të pirë cigare dhe ka djeni çfarë ndodhi mes babë e bir, vetëm dëgjoi zërin e burrit dhe u fut menjëherë në banesë. Nëna e 25-vjeçarit tregon se viktima po mbrohej, ndërsa i biri mund ta ketë goditur 3-4 herë dhe sërish kërkoi ta qëllonte. Ajo ka treguar se ka gjetur edhe një letër të djalit të saj me fjalë të pakuptimta.
“Në letër u gjetën fjalë të pakuptimta. Hëngri drekë. Ishin tezja dhe halla e tij aty. Ato donin të hanin bashkë. Nuk kishim asnjë debat; ai rrinte i mbyllur. Përleshja zgjati vetëm dy minuta. Unë dola të pija një cigare dhe e piva kot e ndeza. Nuk di çfarë ndodhi mes tyre. Ai ishte i mbyllur në vetvete dhe nuk fliste. Nuk ndjeva zërin, se dritarja ishte hapur. Vetëm kur më thirri burri, shoh. Burri u mbrojt dhe nuk kishte asgjë në dorë. Thika nuk ishte e imja; do ta kem blerë. Burri po mbrohej dhe djali mund ta ketë goditur pa mendje, 3-4 herë. Një goditje ishte e dukshme se e kishte në zemër. Më preku pak thika kur e kapa nga dora. Ai donte ta godiste përsëri burrin, jo mua. Kishte kaluar në depresion. Nuk kishte mllef, ishte depresion. Letra e gjeta në dhomën e tij. Ishte një dhomë pritjeje dhe ishte me ngjyrë të bardhë,”-rrëfen nëna e 25-vjeçarit në emisionin “Me Zemër të Hapur” në News24.
Ajo theksoi se i biri nuk foli fare gjatë shoqërimit në komisariat, por vetëm e pa me bisht të syrit, ndërsa shtoi se nuk ka mundësi financiare për t’i gjetur avokat dhe psikolog.
“Kur isha në polici i thashë “ore qen ma mbylle derën”, nuk foli fare vetëm më pa në bisht të syrit. T’i gjeja avokat dhe psikolog do ishte ndihmë e madhe për mua, por skam mundësi”, u shpreh ajo.
Avokatët dhe prokurorja kanë kërkuar një ekspertim psikik për 25-vjeçarin, ndërsa Gjykata vendosi arrest me burg për të riun. Ngjarja e rëndë ndodhi më 28 tetor në shtëpinë e familjes në Shkallnur të Durrësit. 69-vjeçari Kodheli u godit me thikë nga i biri. Pas dy orësh ndjekje nga policia, 25-vjeçari u kap nga Policia. Motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërsa policia tha se autori vuan nga probleme të shëndetit mendor./ZËRI


