Aktualitet

'Në '313', janë ata që duan të më vrasin'! Firmos Drejtori i ri i Burgjeve: Durim Bami të transferohet në Fushë-Krujë

Në kërkesën e tij, Durim Bami, argumentonte se në të njëjtin burg ku u izolua, qëndronin dhe personazhe të tjerë të cilët kanë dashur ta vrasin dhe jeta e tij rrezikohej.

F.I
'Në '313', janë ata që duan të më
Durim Bami

TIRANË- Durim Bami është transferuar nga burgu '313' në atë Fushë Krujës. Vendimi ka ardhur nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, një muaj pas refuzimit për transferimin e tij. Në kërkesën e tij, Durim Bami, argumentonte se në të njëjtin burg ku u izolua, qëndronin dhe personazhe të tjerë të cilët kanë dashur ta vrasin dhe jeta e tij rrezikohej.

Kërkesa e tij fillimisht u refuzua nga ish-drejtori i Burgjeve, Klevis Qose, me argumentin se për sigurinë e tij fizike, do kujdesej shërbimi policor i burgjeve pranë IEVP-së ‘313’ Tiranë, pasi nuk mund të garantohej transporti çdo javë nga burgu i Fushë-Krujës në ambientet e Gjykatës së Posaçme SPAK.

Ndërkohë Durim Bami edhe gjatë kohës që ndodhej në Dubai kërkoi rrëzimin e ekstradimit në Shqipëri me pretendimin se në këtë vend i rrezikohet seriozisht jeta, pasi është përndjekur në mënyrë sistematike nga 18 persona, që ai i quan anëtarë të grupeve kriminale, të cilët duan ta vrasin. Ndër emrat që ai listoi ishin ish-deputeti Arben Ndoka, Behar Bajri, Emiljano Shullazi, Ervis Martinaj, Astrit e Aldo Avdylaj dhe emra të tjerë të njohur në botën e krimit.

Bami u arrestua në Dubai dy vite më parë, më 12 qershor të vitit 2024, teksa ishte shpallur në kërkim me urdhër të SPAK në kuadër të operacionit Revanshi. Akuzat zyrtare kundër tij janë ajo e “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasjen” e ish-deputetit të PS, Arben Ndoka, “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasjen”, të Hektor alias Tori Xheçuka dhe Erigers Mihasit kryer kjo në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”. Njëherësh, Durim Bami, akuzohet nga SPAK dhe për “Kultivim të lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”./ZËRI

Poll

MOS HUMB