Aktualitet

Në ‘arrest shtëpie’ pasi theu legenin në burg, SPAK mbyll hetimet për ish-shefin e rrugores

Sipas SPAK dyshohet se Zeka së bashku me dy zyrtarët e tjerë të Rrugores, kanë favorizuar kundrejt një shume prej 2 mijë eurosh drejtuesen e një automjeti të përfshirë në një aksident

E.K
Në ‘arrest shtëpie’ pasi theu legenin në burg, SPAK
Roven zeka

TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për ish-shefin e Policisë Rrugore, Roven Zeka, duke e dërguar çështjen për gjykim në Gjykatën e Posaçme. Përveç Zekës, përpara drejtësisë do të dalin edhe Sokol Novaku dhe Edison Tabaku, dy efektivë policie që akuzohen për bashkëpjesëmarrje në veprat penale.

Në të njëjtën dosje janë përfshirë edhe Ergest Vrioni dhe Bledi Belba, të cilët do të përgjigjen për akuzat e korrupsionit pasiv dhe aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Gjykimin e çështjes do ta drejtojë gjyqtarja Irena Gjoka. Aktualisht Zeka ndodhet nën masën e arrestit të shtëpisë, për shkak se në burg dëmtoi legenin, dhe gjykata dha një masë lehtësuese ndaj tij.

Njoftimi i SPAK

SPAK dërgon për gjykim tre punonjës të Policisë Rrugore dhe dy shtetas për korrupsion aktiv dhe pasiv

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, procedimin penal, nr.91/1 të vitit 2023, në ngarkim të pesë të pandehurve, të akuzuar për veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv të funksionarëve të organeve të drejtësisë, të parashikuara nga nenet 319, 319/ç dhe 25 të Kodit Penal.

Të pandehurit

Roven Zeka, me detyrë Shef Komisariati në Komisariatin e Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë, Tiranë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/ç dhe 25 i Kodit Penal.

Sokol Novaku, me detyrë Shef Seksioni për Hetimin e Aksidenteve Rrugore në Komisariatin e Policisë Rrugore, Tiranë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/ç dhe 25 i Kodit Penal.

Edison Tabaku, Specialist në Seksionin e Hetimit të Aksidenteve Rrugore, i akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/ç dhe 25 i Kodit Penal.

Ergest Vrioni, shtetas i akuzuar për kryerjen e veprës penale,“Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 dhe 25 i Kodit Penal.

Bledi Belba, shtetas i akuzuar për kryerjen e veprës penale,“Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 dhe 25 i Kodit Penal.

Rrethanat e faktit

Nga hetimet ka rezultuar se më datë 16 prill 2025, pas një aksidenti rrugor që ka ndodhur në në orën 07:30, në Tiranë, janë përfshirë dy mjete, njëri i drejtuar nga shtetasja, Anisa Vrioni dhe tjetri nga shtetasi Andri Koçi. Personat që ndodheshin në mjetin e drejtuar nga ky i fundit janë dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore.

Shtetasja Anisa Vrioni është shoqëruar në orën 10:00 në Komisariatin e Policisë nr. 3, Tiranë, duke u lënë e lirë në orën 13:00. Pas kësaj, ajo është dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Veprimet hetimore në lidhje me këtë rast janë kryer nga i pandehuri Edison Tabaku, i cili kishte njohje të hershme me bashkëshortin e Anisës, të pandehurin Ergest Vrioni.

I pandehuri Edison Tabaku, ka kërkuar dhe ka marrë në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga i pandehuri, Ergest Vrioni shumën e parave prej dyqind mijë lekësh. I pandehuri Edison Tabaku në kërkimin dhe marrjen e kësaj shumë ka vepruar  në bashkëpunim me dy eprorët e tij, të pandehurit Roven Zeka dhe Sokol Novaku, të cilët e kanë kërkuar dhe marrë këtë shumë parash, me qëllim mosarrestimin e shtetases Anisa Vrioni. Bledi Belba ka ndërhyrë tek Roven Zeka dhe e ka ndihmuar Ergestin me shumën prej 1000 eurosh, për t’ia kaluar të pandehurve, me qëllimin për të mos arrestuar bashkëshorten e tij.

Zeka ishte arrestuar më herët si pjesë e një hetimi për shpërdorim detyre dhe korrupsion, në kuadër të një operacioni që preku disa zyrtarë të policisë rrugore në Tiranë. Ai dyshohet për favorizim të personave të ndaluar dhe mosndëshkim të shkeljeve në këmbim të përfitimeve.

Sipas SPAK dyshohet se Zeka së bashku me dy zyrtarët, kanë favorizuar kundrejt një shume prej 2 mijë eurosh drejtuesen e një automjeti të përfshirë në një aksident. Kjo e fundit ka shkaktuar një aksident rrugor dhe është proceduar në gjendje të lirë, megjithëse nga aksidenti 5 persona kishin marrë ndihmë mjekësore në spital. /ZËRI

Poll

MOS HUMB