
TIRANË-Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka marrë dëshminë e katër zyrtarëve të Policisë, të cilët zhvilluan takime me shefin e Qarkullimit Rrugor të Tiranës Roven Zeka, teksa ai mbahej nën arrest në ambientet e Bllokut të Sigurisë. Bëhet fjalë për një drejtor dhe tre shefa Komisariatesh. Prokuroria po i heton zyrtarët nën dyshimet për shpërdorim detyre, pasi nuk lejohet që të kryejnë takime me persona nën hetim.
Pas sekuestrimit të kamerave të sigurisë, përmes të cilëve u verifikuan dhe hyrje-daljet e zyrtarëve në bllokun e sigurisë, hetuesit e BKH-së i thirrën në pyetje për të marrë versionin e tyre lidhur me arsyet e vizitës në qeli të kolegut të tyre.
Ndërkohë Ballkanweb bën me dije se të paktën 3 prej tyre iu janë sekuestruar celularët dhe po zbërthehen nga ana e ekspertëve për të parë komunikimet që mund të hedhin dritë mbi rastin. Në kuadër të të njëjtit hetim, SPAK ka sa sekuestruar celularin e një biznesmeni të njohur, pasi dyshohet se ai ka ndërmjetësuar dhe ka vendosur lidhjen mes Roven Zekës dhe biznesmenit tjetër që dyshohet se ofroi rryshfet që gruaja e tij e përfshirë në aksident rrugor me disa të plagosur të mos arrestohej.
Roven Zeka bashkë me shefin e Sektorit të Aksidenteve, Sokol Novaku dhe oficerin e policisë gjyqësore Edison Tabaku, sipas SPAK janë përfshirë në korrupsion pasiv. Ata akuzohen nga SPAK për veprën penale të korrupsionit. Kjo për shkak se akuzohen se kanë kërkuar dhe marrë pagesën 2 mijë euro nga biznesmeni Erges Vrioni, për të mos i arrestuar bashkëshorten që kishte shkaktuar një aksident.
Sipas dosjes hetimore, duke qenë se polici Tabaku e njihte Erges Vrionin, bashkëshortin e gruas që bëri aksidentin, i ka kërkuar para për të mos e arrestuar të shoqen, Anisa Vrionin. Kështu, biznesmeni i ka dhënë 1000 euro Tabakut pranë banesës së tij. Më pas, vetë Tabaku e ka takuar sërish Erges Vrionin në një lokal pranë komisariatit të Policisë Rrugore duke i kërkuar edhe para të tjera me pretendimin: Kam edhe të tjerë mbi kokë!
Urdhri i ndalimit të drejtorit të Policisë Rrugore të Tiranës, Roven Zeka, shefi i Sektorit të Aksidenteve në Tiranë, Sokol Novaku dhe Oficerit të Policisë Gjyqësore, Edison Tabaku është ekzekutuar nga BKH, në bashkëpunimin me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Gjatë kontrolleve të kryera për llogari të këtij procedimi penal janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale shumat prej; 2.500.000 lekë dhe 26 mijë euro./ZËRI