Aktualitet

“Paguaj 2 mln lekë, ose e vramë”, mbyllen hetimet për rrëmbimin e biznesmenit Agalliu, si u përdor Nikoleta për ta joshur

Rrëmbyen një person me qëllim fitimin e pasurisë, Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq 4 persona, përfshirë vajzën që e futi në kurth

E.K
“Paguaj 2 mln lekë, ose e vramë”, mbyllen hetimet për
foto ilustruese

TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim 4 persona, pasi rrëmbyen 68-vjeçarin, Edvar Agalliu, me qëllim zhvatjen e parave nga familja e tij.

“Paguaj 2 milionë lekë se jam në rrezik”, ka qenë telefonata e Edvar Agalliut ndaj bashkëshortes, e cila ngriti alarmin për rrëmbimin e tij, ngjarje e ndodhur më 30 prill 2025 në Tiranë.

Pas telefonatës, motra e të rrëmbyerit ka bërë denoncimin në polici për marrjen peng të të vëllait nga tre personat, Sulejman Sina, Idajet Mashollari dhe Kinton Sina, me ndihmën e Nikoleta Begollit.

Planifikimi i rrëmbimit

Biznesmeni Edvar Agalliu është marrë peng dhe për pesë orë është lidhur e i është ushtruar presion për dorëzimin e 20 milionë lekëve të vjetra. Ai është futur me forcë në një makinë, në momentin që po qëndronte në rrugën “George W.Bush” në qendër të Tiranës.

Më pas është dërguar në fshatin Kakunjë në kufi me Elbasanin, nga ku autorët kanë kontaktuar me bashkëshorten e Agalliut dhe i kanë kërkuar paratë në këmbim të lirimit të biznesmenit. E shoqja ka mbledhur më shumë se 17 milionë lekë të vjetra dhe ia ka dorëzuar njërit prej autorëve, Bajram Ibraliu, në zonën e Saukut. Shkak për këtë pengmarrje mësohet se është bërë një ngacmim.

Nga dëshmitë e dhëna përpara autoriteteve, Sulejman Sina ka rrëfyer se Agalliu i ka ngacmuar të dashurën, Nikoleta Begolli, e cila e ka mbështetur këtë version. Vetë biznesmeni Agalliu e pranon njohjen me 32-vjeçaren, por jo faktin që e ka ngacmuar apo shqetësuar të renë. Në pranga janë vënë pesë persona, Sulejman Sina, Klinton Sina, Idajet Mashollari, Nikoleta Begolli dhe Bajram Ibraliu.

NJOFTIMI I POLICISË

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq katër shtetasit S.S., I.M., K.S., dhe N.B. për veprën penale ‘Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit’ parashikuar nga neni 109/25 i Kodit Penal.

Hetimet mbi procedimin penal nr.2978, të regjistruar më 30.04.2025, nisën pas kallëzimit të shtetases A.V., e cila denoncoi se vëllai i saj shtetasi E.V. ka marrë bashkëshorten në telefon ku i kërkonte të paguante sa më shpejt 2 milionë lekë pasi ishte në rrezik për jetën dhe vetëm kështu mund të kthehej në shtëpi.

Nga hetimet, rezultoi se shtetasit S.S., N. B., I. M. dhe K.S. planifikuan rrëmbimin e shtetasit E. A. dhe e kanë realizuar atë me qëllim fitimin e pasurisë. Hetimet provuan se ata në afërsi të shkollës pedagogjike Tiranë, në momentin që shtetasi E.V. ka qenë me shtetasen N.B., janë afruar një mjet tip Golf, me ngjyrë të zezë dhe me forcë e kanë futuar atë në mjet ku i kanë vendosur edhe një kapuç në kokë, dhe e kanë çuar dhe në një vend tjetër, të largët.

Pasi e kanë futur në një banesë të vjetër, i kanë lidhur duart dhe i kanë kërkuar shumën prej 2 milionë lekë, me pretendimin se shtetasi E. A, kishte ngacmuar shtetasen N.B. (bashkëjetuesja e shtetasit S.S). Më pas tre të dyshuarit kanë komunikuar në telefon me bashkëshorten e të dëmtuarit/viktimës, shtetasen M. A., e cila iu dërgoi të dyshuarve shumën e parave.

Të katër këta persona e kërcënuan shtetasin E.A. duke i thënë se nëse pagesa nuk do të kryhej, atëherë ata do t’i dërgonin fotot e tij dhe të shtetases N.B., bashkëshortës së tij, për t’i shkatërruar familjen dhe më pas do ta vrisnin.

Në përfundim të hetimeve, nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë rezultoi e provuar se shtetasit S.S., N.B., I.M. dhe K.S. kanë konsumuar veprën penale ‘Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit’ parashikuar nga neni 109/25 i Kodit Penal, e cila parashikon se; rrëmbimi ose mbajtja peng e personit me qëllim për të fituar pasuri ose çdo lloj përfitimi tjetër, për të përgatitur krijimin e kushteve lehtësuese për kryerjen e një krimi, për të ndihmuar fshehjen ose largimin e autorëve ose bashkëpunëtorëve në kryerjen e një krimi, për t’iu shmangur dënimit, për të detyruar realizimin e kërkesave a kushteve të caktuara, për qëllime politike ose çdo qëllim tjetër, dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet./ZËRI 

Poll

MOS HUMB