Aktualitet

Qëlloi 4 herë në drejtim të vëllezërve Kajoshi, arrestohet në Tiranë Alban Bruçi

Arlind Bruçi kishte shënjestër Arlind Kajoshin, i cili ishte një nga personat që i dhunoi të atin, Vladimir Bruçin.

F.I
Qëlloi 4 herë në drejtim të vëllezërve Kajoshi,
Vëllezërit Kajoshi dhe Alban Bruçi

TIRANË-Alban Bruçi i shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje ndaj vëllezërve Arlind dhe Arjon Kajoshi në Shkodër është arrestuar në Tiranë. Bruçi, në momentin e ndalimit shoqërohej nga shoku i tij Arjan Sardi, i cili po e transportonte me motomjet. Gjatë kontrollit fizik, Bruçit iu gjetën një shumë parash, 3 celularë dhe një kartë identiteti italiane false.

Atentati ndaj vëllezërve Kajoshi

Në 7 shtator 2024, 4 plumba u qëlluan ndaj një Range Roveri në lagjen "Partizani" në Shkodër. Arlind Bruçi kishte shënjestër Arlind Kajoshin, i cili ishte një nga personat që i dhunoi të atin, Vladimir Bruçin. Në makinë ishte i vëllai i tij i vogël, boksieri Arjon Kaloshi, i cili qarkullonte me mjetin në pronësi të babait të tij, Sokol Kajoshit. Fatmirësisht nga  të shtënat me armë zjarri nuk pati të lënduar.

Kujtojmë se në maj të këtij viti u arrestua edhe Arlind Kajoshi, i cili ishte shpallur në kërkim, për rrahjen e Vladimir Bruçit së bashku me Samuel Troshani dhe Izmir Sakicën. Kajoshi u arrestua në Shtoj, fshat në dalje të Shkodrës në një banesë të braktisur.

Njoftimi i policisë:

Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar.  

Finalizohet operacioni i koduar “Operacionalja 67”.

Kapet në rrugën “Teodor Keko” dhe vihet në pranga një 28-vjeçar i shpallur në kërkim për tentativë për vrasje me paramendim dhe për armëmbajtje pa leje.

Në momentin e ndalimit, 28-vjeçari posedonte një kartë identiteti italiane false.

Vihet në pranga dhe shtetasi që shoqëronte dhe transportonte 28-vjeçarin, me motomjet.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh finalizuan operacionin e koduar “Operacionalja 67”, gjatë të cilit u kap në rrugën “Teodor Keko” dhe u vu në pranga shtetasi:

-A. B., 28 vjeç, banues në Shkodër, i cili ishte shpallur në kërkim me vendimin e vitit 2024, të Gjykatës së Shkodrës, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit".

Gjatë kontrollit fizik, shtetasi A. B. iu gjetën një shumë parash, 3 celularë, 1 kartë SIM dhe 1 kartë identiteti italiane e dyshuar e falsifikuar, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, gjatë operacionit u vu në pranga, për përkrahje të autorit të krimit, shtetasi A. S., 37 vjeç, banues në Tiranë, i cili shoqëronte shtetasin A. B., në momentin e kapjes nga shërbimet e Policisë. Nga hetimet dyshohet se shtetasi A. S. transportonte shtetasin A. B., me motomjet, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Shtetasit e kapur iu dorëzuan Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër që bëri ekzekutimin e urdhrave për ndalimin e shtetasit A. B. dhe arrestimin e shtetasit A. S..

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Poll

MOS HUMB