SPANJË-Një shqiptar, i arratisur që nga viti 2004 dhe i kërkuar për trafik droge dhe mbajtje të paligjshme armësh, u arrestua në Spanjë falë një operacioni ndërkombëtar të koordinuar mes Karabinierëve të Fermos dhe policisë spanjolle.
Mediat italiane raportojnë se operacioni u krye në Spanjë, ku shqiptari me origjinë nga Durrësi, emri i të cilit nuk u publikua, po fshihej prej vitit 2004, ndërsa ndaj tij kishte urdhër kërkimi ndërkombëtar dhe një dënim në mungesë. Ai kërkohej për vuajtjen e një dënimi të mbetur prej 4,5 vitesh burgim dhe një gjobe prej afërsisht 9,000 eurosh për komplot për shpërndarjen e narkotikëve dhe komplot për posedimin e armëve, të dyja të kryera në provincë.
“Shqiptari i arrestuar ishte në kërkim aktiv që nga viti 2004 dhe tani është në dispozicion të Gjykatës Qendrore Kombëtare të Madridit (Spanjë) në pritje të procedurave të dorëzimit dhe ekstradimit. Konkretisht, shqiptari, së bashku me të tjerë, ishte shpallur fajtor për furnizimin me kokainë, që arrin në afërsisht 340 doza mesatare ditore, si dhe për furnizimin me sasi të tjera të substancave narkotike si heroinë, kokainë dhe marihuanë”, informon media italiane.
Gjatë hetimeve, autoritetet arritën të lokalizonin shqiptarin fillimisht në zonën e Durrësit dhe më pas në Spanjë, duke mundësuar arrestimin e tij./ZËRI