ELBASAN- Landfilli i mbetjeve në inceneratorin jofunksional të Elbasanit u përball me një masakër mjedisore në fillim të muajit korrik, ku një zjarr i përmasave të mëdha dhe shtëngulla të dendura tymi pushtuan qytetin për ditë të tëra. Lidhur me këtë, Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka thirrur në interpelancë drejtuesit e ‘ECO ELB’. Bëhet me dije se këshilltarët kërkuan të dhëna mbi zjarrin, shkaqet dhe funksionimin e inceneratorit, ndërsa administratorët e kompanisë janë shprehur se ndodhen në situatë kritike. Administratori i 'ECO ELB', Leli Kraja, ka sqaruar se zjarri ka ndodhu rpër shkaqe natyrale, teksa ka kërkuar nga institucionet ligjzbatuese të hetojnë. Ai shtoi se u ka dërguar shkresa të vazhdueshme institucioneve qendrore ministrive për zgjidhje.
“Kanë kaluar kapacitetet e landfillit. Zjarri ndodhi për shkaqe natyrore, ky është gjykimi ynë, por institucionet ligjzbatuese të hetojnë dhe të dalim në përfundim. I kam bërë shkresa të vazhdueshme institucioneve qendrore ministrive për zgjidhje. Këshilli Bashkiak as të majtë e as të djathtë kurrë s’janë bërë bashkë për zgjidhje. Kemi nevojë për zgjidhje. Situata kritike. Këshilltarët të majtë e të djathtë të Këshillit Bashkiak të Elbasanit sot njëzëri kërkuan zgjidhje: Ndërkohë që ndërtimi i inceneratorit hetohet dhe nuk punon të gjendet zgjidhje për Elbasanin. Nuk ka pse Elbasani të kthehet në kosh mbeturinash. Qytetet e tjera gjithashtu të ndajnë përgjegjësitë. Ajri i përbashkët i Elbasanit është shëndeti i qytetit tonë. Të bëhemi bashkë“, tha ai.
Prej vitesh, situata në këtë landfill është problematike dhe plehrave shpesh u vihet flaka. Inceneratori i Elbasanit është jashtë funksionit, ndërsa rreth 50 mijë ton mbetje depozitohen çdo vit në këtë fushë, nga 7 bashkitë e qarkut të Elbasanit.
Lidhur me landfillin, në mars të këtij viti, disa persona u morën në pyetje për inceneratorin e Elbasanit. Nga Prokuroria e Elbasanit u shoqëruan për t'u marrë në pyetje 4 zyrtarë të kompanisë "Eco Elb". Po ashtu, nga zyrat e kompanisë janë sekuestruar edhe dokumente, por ende nuk ka të dhënë konkrete. Kompania "Eco Elb" u themelua në vitin 2021, pas sekuestrimit të inceneratorit të Elbasanit me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Por në ambientet e landgfillit ka pasur disa zjarrë, një në 2023 dhe një tjetër në nëntor të vitit 2024. Ndaj për këto incidente, Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet për 3 vepra penale: “Shpërdorim detyre”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Ndotja e ajrit”./ZËRI