TIRANË- Vajza e presidentit amerikan Donald Trump, Ivanka Trump, po vijon tashmë prej dy ditësh turin e saj në Shqipëri. Pas Vlorës, ndalesa e radhës ka qenë Tirana. Këtë të enjte, Ivanka Trump është shfaqur në kryeqytet me makinën që përdoret nga ambasadori i SHBA në Shqipëri.
Gjatë mbrëmjes së sotme, Ivanka ka shkuar në Kryeminsitri, ku është pritur me përqafime nga kreu i Qeverisë, Edi Rama.
Mbrëmjen e djeshme, vajza e Presidentit të SHBA-ve dhe kryeministri Edi Rama zhvilluan një takim dhe më pas edhe darkuan në një restorant në qytetin bregdetar të Vlorës. Më pas, janë larguar me një makinë drejt Orikumit. Në takimin që zgjati mbi 40 minuta, kanë qenë dhe 60 arkitektë, pasi investimet e mundshme strategjike në zonën e Vlorës ishin në fokus të diskutimeve.
Vajza e presidentit amerikan Donald Trump mbërriti mëngjesin e të mërkurës në Vlorë, e shoqëruar nga forca të shumta policie. Ajo ka zhvilluar një sërë takimesh private me studio arkitekturore dhe përfaqësues të fushës së zhvillimit urban dhe turistik. Vizita lidhet me interesin për projekte të mundshme zhvillimore në Ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnec. Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump do të investojë 1 milard dollarë për Ishullin e Sazanit në vila dhe resorte lusoze. Qeveria e Shqipërisë në janar të vitit 2025 miratoi kërkesën e Jared Kushner për zhvillimin e ishullit të pabanuar të Sazanit, duke i dhënë statusin e investitorit strategjik./ZËRI
