TIRANË- Në GJKKO po zhvillohet seanca e radhës e gjyqit në themel për dosjen që përfshin kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, si dhe 16 persona të tjerë dhe 12 shoqëri. Seanca ka nisur që prej orës 09:00, ndërsa mësohet se Veliaj nuk është i pranishëm, dhe përfaqësohet nga ish-deputeti i PS, avokati Plarent Ndreca.
Kryebashkiaku ka njoftuar se nuk do të jetë i pranishëm derisa sa të përfundojë së lexuari dosjen 60 mijë faqe që iu dërgua në qelinë e paraburgimit në Durrës, rreth 1 muaj më parë, 1 vit pas arrestimit. Më 11 mars u raportua se Veliajt i janë dërguar me furgon në burgun e Durrësit të gjitha materialet me 72 fashikuj me rreth 28 mijë faqe.
Në seancë i pranishëm është prokurori i çështjes Ols Dado ndërsa mungon Altin Dumani. Po ashtu, gjykata ka kërkuar dhe prezencën e policit të burgut të Durrësit, Fatjon Baci, i cili është shoqëruar nga Policia e Burgjeve për në Gjykatën e Posaçme. Baci akuzohet se i dha telefonin e tij kryebashkiakut Veliaj gjatë një shoqërimi për në GJKKO.
Seanca e shkuar, përfundoi pa u hapur shqyrtimi gjyqësor, njësoj si dy seancat e para. Shkak u bë mungesa e Artan Simonit, avokati i gardianit të Burgut të Durrësit, Fatjon Baci.
Avokati Simoni kishte dorëzuar një raport se nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe kishte kërkuar shtyrjen e senacës. Por, GJKKO i caktoi Bacit një avokat kryesisht, Pranvera Doçin dhe urdhëroi shoqërimin e detyruar të tij në seancën e radhës për t’u shprehur vetë për avokatin.
Më 9 shkurt, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si dhe të pandehurve të tjerë.
Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI