TIRANË-Më 25 korrik 2025 u prezantua në Tiranë drafti i Kodit të Ri Penal të Shqipërisë, një reformë gjithëpërfshirëse që vendos në qendër të vëmendjes mbrojtjen e grave, vajzave dhe fëmijëve – sidomos përmes kriminalizimit të formave të reja të dhunës dhe abuzimit, që tani nuk është trajtuar në mënyrë të qartë nga ligji. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, theksoi se Kodi aktual është i vjetruar dhe nuk përballon sfidat moderne juridike dhe teknologjike. Drafti është hartuar nga një grup ekspertësh të pavarur, nën drejtimin e profesor Arben Rakipit; nisur në vitin 2019 dhe përfunduar në vitin 2023, ky projekt ka hyrë për konsultim publik në korrik 2025.
Për herë të parë: Mbrojtje e re për gratë dhe fëmijët
Në Kodin Penal të vitit 1995, ngacmimi seksual nuk është trajtuar si një vepër penale e veçantë. Kjo ka bërë që shumë raste të ngacmimirt seksuale të mos ndiqen penalisht, duke lënë viktimat pa mbrojtje të duhur ligjore. Vetëm pas vitit 2013, ngacmimet seksuale janë përfshirë në Kodin Penal, por pa specifikuar ndëshkime të përshtatshme për raste të tilla.
Ndërsa drafti i ri përmban 952 nene, trefish më shumë se kodi aktual i miratuar në vitin 1995 dhe të ndryshuar me dhjetra herë ndër vite. Ai përfshin dispozita që kriminalizojnë për herë të parë: ngacmimin seksual, çdo sjellje verbale apo joverbale me natyrë seksuale që cenon dinjitetin e viktimës, do të dënohet deri në 3 vjet burgim. Degradimi i integritetit seksual, shtyrja për ekspozim të pjesëve intime, masturbim apo akte të tjera poshtëruese ndaj viktimave do të dënohet me 3 vite burgim.
Përdhunimin dhe aktet seksuale me të mitur do të dënohen me burgim të përjetshëm në rast vdekjeje apo vetëvrasjeje të viktimës. Gjithashtu, Kodi ja sjellë në vëmendje një temë të nxhetë sociale dhe shëndetësore, mbrojtjen e autonomisë riprodhuese të grave.
Kodi Penal i vitit 1995 nuk ka përfshirë dispozita të qarta që mbrojnë të drejtat e grave në lidhje me shtatzëninë dhe autonominë riprodhuese. Kjo ka çuar në mungesë të mbrojtjes ligjore për gratë shtatzëna dhe ka lejuar abuzime të mundshme në këtë fushë.
Por me kodin e ri penal: Gjymtimi i organit gjenital femëror do të trajtohet si vepër penale me dënim nga 4 deri në 12 vite burg. Po ashtu në nenin758 të Kodit Penal do të trajtoht si vepër penale ndërprerja e shtatzënisë pa pëlqimin e gruas, e cila do të dënohet me gjobë ose burgim nga 1 deri në 5 vite, për personat që kryejnë këtë vepër penale.
Drafti imponon ndëshkime të rënda për abuzimet ose dhunën në prani të fëmijëve: Dhuna ndaj një gruaje në prani të fëmijëve mund sjellë deri në 10 vjet burgim për autorin e veprës.
Mbrojtja e fëmijëve dhe trajtimi i tyre si kategori e veçantë
Në Kodin Penal të vitit 1995, mbrojtja e fëmijëve dhe të miturve ka qenë e kufizuar. Por çfarë parashikon drafti për Kodin e Ri Penal?
Kushdo që vret një fëmijë mund të dënohet me burgim të përjetshëm, me heqje të së drejtës për amnisti dhe dukshëm kufizime në procedurë, duke mos lejuar shkurtimin e dënimeve përmes proceseve të përshpejtuara gjyqësore. Kodi e zgjeron konceptin e “të miturit” deri në moshën 21 vjeç, duke i trajtuar ata me një qasje rehabilituese dhe të personalizuar. Mosha e pëlqimit për marrëdhënie seksuale në Shqipëri do të rritet nga 14 në 16 vjeç, duke krijuar një mbrurojë ligjore më të fortë për të mbrojtur të rinjtë nga abuzimet.
Në praktikë marrëdhënia seksuale me një 16-vjeçar është tashmë e paligjshme dhe do të trajtohet si dhunë seksuale.
Drafti gjithashtu ofron mbrojtje të zgjeruar për viktimat: Kodi përfshin drejtësi restauruese, ku autorët mund të riparojnë dëmin dhe të përfshihen në programe rehabilituese në vend të dënimit strikt.
Kodi i Ri Penal ofron mundësi të zgjeruara për viktimat qe të ankimojnë vendimet për zëvendësimin me burgim me masa të tjera lehtësuese ose lirimin me kusht. Ky mekanizëm siguron që viktimat të kenë një rol aktiv në proceset gjyqësore dhe të mbrojnë interesat e tyre. Tashmë për draftin ka nisur faza e konsultimit publik me ftesë për të gjithë palët, përfshirë opozitën dhe organizatat civile. Pritet që drafti të marrë "certifikim" nga Bashkimi Europian para miratimit në Kuvend me shumicë të cilësuar. Në përfundim, Kodi i Ri Penal sjell një model të ri për mbrojtjen e grave, vazjave dhe fëmijëve, duke kodifikuar dhe ndëshkuar forma të reja të dhunës dhe shfrytëzimit dhe duke trajtuar me dinjitet viktimat./ZËRI