TIRANË- Për herë të parë, pas 30 vitesh, Shqipëria do të ketë një Kod të Ri Penal. Por cilat do të jenë risitë e tij me të cialt do të përballet Shqipëria?
Në draftin me një sërë propozimesh e ndryshimesh, vihen re disa nga risitë, në cilat një vëmendje e madhe i është kushtuar të miturve, kafshëve por edhe veprimeve mes çifteve, siç është bigamia. Në vëmendje i është kushtuar edhe sigurisë shëndetësore, ku janë ashpërsuar masat për ata që shkaktojnë epidemi, apo shitja e ilaçeve të skaduara.
Të miturit
Kodi Penal i sguron një mbrojtje të posaçme të miturve. Për çdo veprim kriminal të drejtuar ndaj tyre do të ketë dënime të rënda. Një rregullim është bërë edhe në vetë konceptin “i mitur”. Tashmë, i mitur do të konsiderohet çdo person deri në 21 vjeç. Përmes Kodit të Ri Penal do të prioritizohet rehabilitimi dhe riintegrimi i të miturve të përfshirë në krim. Në caktimin e masave edukuese merren parasysh një sërë faktorësh dhe masa më e rëndë aplikohet si alternativë e fundit. Në Kod ka edhe një saktësim të përgjegjësive të personave që duhet të kujdesen për ta.
Drejtësi për kafshët
Drafti i Kodit të ri Penal parashikon burg deri në 3 vite për braktisjen apo keqtrajtimin e kafshëve. Projektligji përfshin për herë të parë një kapitull të veçantë për mbrojtjen e kafshëve dhe ashpërson ndëshkimet për çdo formë abuzimi, keqtrajtimi apo braktisjeje. Sipas nenit 944, braktisja e një kafshe, nëse rrezikon jetën apo shëndetin e saj, konsiderohet vepër penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vite. Edhe për rastet kur një kafshë dëmtohet rëndë apo i shkaktohet dhimbje përmes veprimeve brutale, përfshirë edhe akte me natyrë seksuale, dënohet me burg. Nëse një kafshë, për shkak të mungesës së kontrollit apo maskës mbrojtëse, shkakton dëmtime ndaj një personi, pronari rrezikon nga gjobë deri në 6 muaj burg.
Bigamia pritet të konsiderohet një vepër penale në Shqipëri, sipas draftit të ri të Kodit Penal. Sipas nenit 742 të këtij drafti, lidhja e më shumë se një martese në të njëjtën kohë dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Në rastet kur personi vijon të jetojë në një marrëdhënie bigamie edhe pas një dënimi të mëparshëm penal për këtë vepër, parashikohet një dënim më i ashpër, që shkon nga gjashtë muaj deri në katër vjet burgim. Neni 742 ka edhe një dimension ndërkombëtar. Ai parashikon ndëshkimin edhe nëse bigamia është kryer jashtë Shqipërisë, në vende ku ajo lejohet, por në rastet kur janë përfshirë shtetas shqiptarë ose të huaj me banim në Shqipëri.
Kodin e ri Penal të vendit, i është kushtuar një kapitull të veçantë mbrojtjes së shëndetit publik
Nëse dikush shkakton qëllimisht një epidemi përmes shpërndarjes së viruseve apo baktereve patogjenë do të dënohet me jo më pak se njëzetë e pesë vjet burg dhe deri në burgim të përjetshëm, sipas nenit 441 të draftit. Dënim shumë i rëndë parashikohet edhe për rastet kur kjo ndodh nga pakujdesia, 10 deri në 20 vjet heqje lirie.
Neni 444 sanksionon se zyrtarët publikë që nuk raportojnë sëmundjet infektive apo pandemike, sipas detyrimeve ligjore, do të përballen me gjoba apo edhe masa administrative plotësuese. Nga ana tjetër, mosrespektimi i rregullave të karantinës, urdhrave shëndetësorë apo masave gjatë gjendjes së jashtëzakonshme konsiderohen në kundërshtim me ligjin dhe mund të dënohet me burg deri në 3 vjet, në varësi të rrezikut të krijuar.
Prodhimi, importimi ose tregtimi i barnave pa leje, të skaduara, ose që paraqesin rrezik për shëndetin, do të dënohet me burgim deri në 8 vjet, në varësi të rrezikut. Mashtrimi në përmbajtjen, përbërjen apo dokumentacionin e barnave, si dhe çdo veprim që cenon sigurinë, efikasitetin apo cilësinë e produkteve mjekësore, do të ndëshkohet me dënime që variojnë nga 2 deri në 8 vjet burgim.
Edhe reklamimi “mashtrues” apo shpërndarja e produkteve të dëmshme për shëndetin, veçanërisht kur i drejtohen fëmijëve apo personave vulnerabël, dënohet me gjobë ose burgim deri në 4 vite. Një risi tjetër lidhet me kriminalizimin e veprave të reja si terrorizmi kibernetik, trafikimi i armëve, evazioni fiskal i sofistikuar, krimet kundër mjedisit, rrafikimi i armëve të printuara 3D, numërtimi i rremë i armëve dhe të tjera.
Drafti i propozuar për Kodin e ri Penal ka hapur një diskutim publik me ata që janë shprehur kundra dhe atyre që e shohin si një reformë për t’ju përgjigjur sfidave të kohës, shtuar këtu edhe momentit që Shqipëria po negocion për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Gjithsej janë bërë 30 ndërhyrje në Kodin Penal. Kodi i Ri parashikohet të jetë me 327 nene, në krahasim me atë aktualin i cili ka 285 nene e 550 paragrafe./ZËRI




