TIRANË-Klodian Braho, i cili do të jetë Drejtuesi i ri i SPAK për tre vitet e ardhshme, gjatë intervistimit përballë prokurorëve të KLP-së u shpreh se jeta si prokuror ka sfida dhe kufizime. Braho rrëfehu se prokurorët nuk bëjnë një jetë noramle duke treguar se kufizimet fillojnë që nga momenti që shkojnë në një lokal. Ai u shpreh se kur ulet në ndonjë lokal, fillimisht kontrollon emrin e pronarit, që rezulton i regjistruar në QKB. Braho më tej theksoi se mundohet të mbajë punën larg shtëpisë dhe të mos ndryshojë mënyrën e tij të jetesë.
Klodian Braho: Për shkatë funksionit, sidomos nga Krimet e Rënda dhe më pas, sjellja ka ndryshuar. Prokurorët nuk mund të bëjnë një jetë normale si gjithë të tjerët. Nuk po them se rrimë mbyllur, por ka ca kufizime që duhet ti respektojmë, aq sa shkon sa kur shkojmë në një lokal kontrollojmë në QKB se kush e ka lokalin. E them sinqerisht këtë pjesë. Këto janë kufizime, jo vetëm tek ne, por edhe në vendet e qytetëruara. Por ajo që mund të them është që përpiqem që mos ta ndryshojë mënyrën time të jetesës, sepse në të kundërt do kthehet në situatë negative ky presioni i punës dhe ngarkesa e punës. Përpiqem ta mbaj punën larg shtëpisë dhe të mos ndryshojë mënyrën time të jetesë. Respektojmë një sërë kufizimesh, e kemi zgjedhur vetë këtë punë, nuk na kanë sjell njeri me zor, por normalisht këto kufizime duhet të ekzistojnë.
Klodian Braho u zgjodh me 7 vota pro në krye të SPAK. Ai do të jetë pasuesi i Altin Dumanit në krye të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Mandati i Altin Dumanit mbaron më 18 dhjetor, ndërsa Braho do ta marrë zyrtarisht detyrën në një ceremoni të dorëzimit të kompetencave më 19 dhjetor 2025./ZËRI