
DURRËS- Një megaoperacion në Durrës, i ka dhënë fund arratisë së Xhevdet Plakut. I ashtuquajturi "Akili" është vendosur në pranga pasi që nga janari i këtij viti, ai ishte arratisur nga burgu i Barcagliones në Itali. 45-vjeçari ia kishte dalë që të rikthehej në Shqipëri dhe mbrëmjen e djeshme, po darkonte në një restorant në Gjirin e Lalëzit. Sipas të dhënave që bëri me dije Policia e Durrësit, Plaku ishte i armatosur me një pistoletë, me fishekun në fole dhe gati për qitje. Por nuk ishte i vetëm! Plaku ndodhej në shoqërinë e disa personave të tjerë, disa prej tyre ishin po ashtu të shpallur në kërkim për ngjarje të ndryshme kriminale.
Në tavolinë ishin ulur 7 persona, mes tyre 3 të kërkuar me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Përveç Xhevdet Plakut, në tavolinë ishte Flobens Mecia alias Gega alias Drini, 43 vjeç, banues në Shkodër, i shpallur në kërkim nga SPAK. Me ta ishte dhe Voltan Xhani, 39 vjeç, lindur në Përmet, rezident në Holandë. Për këtë të fundit, GJKKO ka vendosur në mungesë masën e sigurisë “arrest në burg”, për vrasjen e Elis Rroshkodolit. Po ashtu, në të njëjtën tavolinë ishte dhe 35-vjeçari Jugert Xhani, i shpallur në kërkim për disa vepra penale.
"Gjatë kontrollit iu gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak; O. H., 38 vjeç, banues në Mamurras, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”; F. Q., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”; A. H., 45 vjeç, banues në Mamurras, i dyshuar për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit.” Po gjatë operacionit, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, shuma parash, euro dhe sende të tjera,"-bën me dije Policia.
NJOFTIMI I POLICISË:
Gjatë operacionit të koduar “Enigma, gjatë të cilit u kapën dhe u vunë në pranga 7 shtetas, ndërmjet tyre 3 shtetas me rrezikshmëri të lartë, të shpallur në kërkim më parë për vepra penale në fushën e krimeve kundër personit dhe në fushën e narkotikëve. Gjatë operacionit u sekuestruan 4 armë zjarri pistoleta të cilat këta shtetas i mbanin me vete, me fishekë në fole gati për qitje. Më konkretisht, ditën e djeshme, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës kanë siguruar informacione në rrugë operative, se disa shtetas në kërkim, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ishin në ambientet e një restoranti në gjirin e Lalzit dhe dyshohej se kishin armë zjarri me vete. Bazuar në këto informacione dhe në analizën e riskut, lindi nevoja për përfshirjen në operacion, dhe të Drejtorisë së Forcës Operacionale në Policinë e Shtetit. Në kuadër të operacionit, në masa të larta sigurie, shërbimet policore ndërhynë në mënyrë të befasishme në ambientet e restorantit ku ndodheshin këta shtetas. Nga verifikimet parakrake rezultoi se në një tavolinë ishin ulur 7 shtetas, ndërmjet tyre 3 të kërkuar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, konkretisht: Xhevdet Plaku alias Kiss, 45 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Roma, pasi Gjykata e Breshias, Itali, ka lëshuar urdhër arresti për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”. Ky shtetas është arratisur nga burgu i Ankonës, në muajin janar 2025 dhe për këtë arsye autoritetet gjyqësore italiane kanë lëshuar urdhër arresti për të. Gjatë kontrollit, këtij shtetasi iu gjet një armë zjarri pistoletë me fishek në fole gati për qitje;
Flobens Mecia alias Gega alias Drini, 43 vjeç, banues në Shkodër, i shpallur në kërkim nga SPAK, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në muajin korrik 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”. Gjatë kontrollit, këtij shtetasi iu gjetën dy dokumente identifikimi të falsifikuara dhe 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole gati për qitje; Voltan Xhani, 39 vjeç, lindur në Përmet, rezident në Holandë, pasi në muajin shtator 2024, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” kryer në bashkëpunim dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”, në funksion të hetimeve për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vrasjes me armë zjarri të shtetasit E. Rr., ndodhur në Shkodër. Gjatë kontrollit fizik dhe në çantën e tij, Policia gjeti 1 armë zjarri pistoletë me fishkë në fole gati për qitje; Jugert Xhani, 35 vjeç, lindur në Përmet, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Gjatë kontrollit iu gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak; O. H., 38 vjeç, banues në Mamurras, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”; F. Q., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”; A. H., 45 vjeç, banues në Mamurras, i dyshuar për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit.” Po gjatë operacionit, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, shuma parash, euro dhe sende të tjera.
Por kush është Xhevdet Plaku?
Xhevdet Plaku është i njohur me nofkën “Akili” dhe ka qenë shënjestra e Rexhep Arapit për ta ekzekutuar. Plaku, ka plot 25 identitete të ndryshme dhe për eliminimin e tij ka ndërhyrë edhe ish-shefi i Komisariatit të Shijakut, Dedan Gjoni. Por ende nuk dihet se përse donte "Kap Arapi" që të eliminonte Plakun, i cili cilësohet si kreu i një grupi të trafikut ndërkombëtar të drogës, të cilin e drejtonte nga Amsterdami. Për këtë atentat të thurur "Kep Arapi" u dënua me 5 vite burg nga Gjykata e Posaçme. Bashkë më të është dënuar me 4.8 vite burg edhe Dedan Gjoni, pasi dyshohet se nxorri në pritë Plakun për ta ekzekutuar. Po me 4.8 vite u dënuan edhe Algert Rapi dhe Dejvi Gjermani.
Plaku është një emër i njohur në botën e krimit, përveç atë të trafikut të drogës por edhe për dy vrasje. Në vitin 2000 ai ekzekutoi Sali Rapin në Borghetto Santo Spirito, në zonën e Savonës: një ekzekutim gjakftohtë, ku ai e qëlloi në kokë për larje hesapesh mes bandave kriminale. E dyta, ndodhi në Durrës në vitin 2004, ku shënjestra ishte Saimir Sina. Ndryshe nga vrasja e Rapit, Sinën ai e ekzekutoi për t’u hakmarrë për të dashurën e tij, e cila u prostitua nga viktima. Vrasja ndodhi në lagjen Nr.15, në zonën e Spitallës, e gjitha pasi Sina duke e ditur se Plaku kishte të dashur shtetasen Nertila K., e duke përfituar dhe nga njohja personale me këtë vajzë, i kishte propozuar për ta çuar në mënyrë ilegale në Itali, me qëllim për ta bashkuar me të.
Ajo e pranoi këtë propozim dhe në vitin 2001, Sina në bashkëpunim me një person tjetër, e çuan atë në Itali, duke ndryshuar destinacionin dhe e dërguan në Romë dhe e detyruan të ushtronte prostitucion. Nertila arriti të rikthehet në Shqipëri dhe denoncoi ngjarjen, pasi Plaku mori vesh çfarë ndodhi me të dashurën e atij, ai mori hak. Viktimën e kishte mbajtur në vëzhgim dhe vetëm 3 ditë pasi kishte dalë burgu e qëlloi për vdekje fare pranë banesës së tij në Spitallë të Durrësit. 22-vjeçari Saimir Sina, u qëllua me tre plumba nga të cilët gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa dëshmitarë të vrasjes kanë qenë të gjithë familjarët e viktimës, madje dhe vajza e tij e mitur. Për këtë vrasje ai u dënua me 21 vite e 6 muaj burg, por gati 10 vjet pas ngjarjes dhe proceseve të shumta gjyqësore, më 22 shkurt 2013, Plaku u lirua për mungesë provash. Më pas, u largua nga vendi drejt Holandës, atje ku ngriti "perandorinë" e tij të trafikut të drogës./ZËRI