ITALI-Kreu i SPAK, Klodian Braho ka dhënë detaje në lidhje me operacionin e zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Antimafia në Bari të Italisë, ku u godit një grup i strukturuar kriminal i trafikut të drogës. Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Braho tha se në total janë lëshuar 15 masa sigurimi, 10 prej të cilave nga SPAK. Një element i rëndësishëm, sipas Brahos është edhe goditja e pasurive të rrjedhura nga aktiviteti i trafikut të lëndëve narkotike.
Klodian Braho: Ky është një rezultat i përbashkët. Në lidhje me këtë çështje janë ekzekutuar 15 masa, 10 janë ekzekutuar nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë. Është një element i rëndësishëm i këtij rasti, jo vetëm goditja e këtij aktiviteti të krimit të organizuar të drogës, por dhe produkti i krijuar nga ky aktivitet i paligjshëm. Gjatë hetimeve paraprake janë sekuestruar rreth 1 milion euro para në gjendje cash. Po kështu nga GJKKO në Tiranë, janë sekuestruar pasuri të tjera, llogari bankare, shoqëri, që dyshohet se janë krijuar nga veprimtari kriminale.