TIRANË- Greta Gjoci (Pepa) do të vuajë 6 vite e 8 muaj burg, pas vendimit përfundimtar të Gjykatës së Posaçme të Apelit, e cila më 5 tetor la në fuqi dënimin e dhënë në shkallën e parë. Gjoci është një prej 16 personave të dënuar në dosjen e call center-it të drejtuar nga Bruno Çobo
Por, rasti i Gjocit ngre pikëpyetje serioze, kryesisht për mënyrën e ekzekutimit të dënimit pasi ajo është nënë e një foshnjeje vetëm 3 muajshe.
Sipas hetimeve të SPAK, Gjoci është shpallur përgjegjëse për “mashtrim kompjuterik”, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal. Bëhet fjalë për grupin e drejtuar nga Bruno Çobo, që përmes një skeme call center-i, u ka shkaktuar qytetarëve italianë një dëm prej rreth 4.7 milionë eurosh.
Në vitin 2023, ndaj Gjocit u caktua masa e “arrestit në shtëpi”, të cilën ajo e mbajti për më shumë se tre vjet deri në vendimin përfundimtar. Fillimisht Gjoci u dënua me 10 vite burgim. Sot, pavarësisht nënë e një foshnje 3 muajshe dhe mbi 3 vite në "arrest shtëpie", GJKKO i Apelit e dënoi përfundimisht me 6 vite e 8 muaj burg
Tashmë, pas vendimit të Apelit të GJKKO-së, dënimi ka marrë formë të prerë dhe Gjoci pritet të transferohet për vuajtjen e dënimit në burgun e grave në Pojskë.
Më 5 tetor, Apeli i Posaçëm la në fuqi dënimet e dhëna për 16 të pandehurit pjesë e grupit të Bruno Çobos të cilët mashtruan qytetarët europianë përmes Call Center. Bëhet fjalë për një dënim në total me më shumë se 100 vite për të 16-të të pandehurit. Kreu i grupit u dënua me 8 vite burg, ndërs të pandehurit e tjerë me dënime nga 7 vite e 4 muaj burg deri në 6 vite e 8 muaj.
Skema e mashtrimit funksiononte përmes telefonatave që bëheshin nga grupi i Bruno Çobos, dhe qytetarëve u propozohej blerja online e aksioneve “Amazon”, me premtimin e fitimit të shumave të majme dhe të shpejta./ZËRI
