SARANDË- Fundi i korrikut dhe përveç temperaturave të larta, sezoni është ndezur edhe nga sherret në vendet bregdetare. Saranda duket se kryeson, ku sërish është regjistruar një sherr i dhunshëm mes disa të rinjsh.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme (24 korrik) në shëtitoren e Sarandës, duke krijuar panik mes qytetarëve dhe turistëve të shumtë që ndodheshin aty. Në videon e publikuar nga JOQ, shihen disa të rinj duke u përleshur mes tyre me sende të forta si shkopinj dhe baleta druri. Skena të dhunës ndodhën në mes të shetitores, pranë kalimtarëve që u gjendën përballë situatës së papritur.
Policia e Sarandës ka shpallur në kërkim 5 turistë italianë në lidhje me një sherr të dhunshëm me sende të forta tè raportuar nga ky qytet. Bëhet me dije se në kërkim janë shpallur: Giuzeppe Torella, Mattia Aceti, Salvatore Diglio, Antonio Laezza, Salvatore Biffone, të gjithë banues në Napoli. Dyshimet janë se këta të pestë u konfliktuan me 3 italianë të tjerë: Giovanni Mastantuoni, Francessko D'Erico, Lorenzo Damascato, të gjithë banues në Avelino Itali.
Njoftimi i policisë:
Shpallen në kërkim 5 shtetas italianë që u konfliktuan me sende të forta në shetitoren e qytetit. Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, që pasqyron një konflikt fizik mes disa shtetasve në shetitoren e Sarandës, sqarojmë se: Ngjarja ka ndodhur më datë 24.07.2025, rreth orës 01:30, dhe menjëherë pas saj, strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë nisur veprimet procedurale për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj të plotë ligjor.
Nga hetimet ka rezultuar se dy grupe shtetasish italianë janë përfshirë në një konflikt për motive të dobëta, ku kanë goditur njëri-tjetrin me grushte dhe sende të forta. Në përfundim të veprimeve procedurale u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, dhe u bë shpallja në kërkim për shtetasit italianë:
G. T., 23 vjeç, M. A., 20 vjeç, S. D., 60 vjeç, A. L., 19 vjeç, S. B., 19 vjeç, të gjithë banues në Napoli, Itali. Këta 5 shtetas janë konfliktuar dhe kanë goditur me sende të forta shtetasit italianë G. M., 19 vjeç, F. D., 22 vjeç, L. D., 20 vjeç, të gjithë banues në Avelino, Itali.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori edhe për shtetasin italian E. G., i cili nga verifikimet rezultoi se ushtronte aktivitet të paligjshëm për shitje biletash për festa, pa lejen përkatëse, si dhe kishte punësuar në këtë aktivitet shtetas të pasiguruar. Strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë vijojnë veprimet për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim. Materialet procedurale u referuan në Prokurori, për veprime të mëtejshme.
Vetëm brenda korrikut Saranda ka shënuar disa raste përplasjesh fizike, jo vetëm mes turistëve por edhe pronarëve të hoteleve. Ndërkohë pak ditë më parë u raportua edhe një plagosje me armë zjarri./ZËRI