TIRANË-Një 52-vjeçar autori i një vjedhjeje të kryer në rrugën “Musa Agolli” është arrestuar nga Policia e Tiranës. Pashk Zefi është kapur nga kamerat e sigurisë së apartamentit, ku i veshur me të zeza më 24 tetor 2025, ka grabitur nga kasaforta e një banese shumën prej 1 000 000 lekë dhe sende me vlerë 20 000 euro. Ndërkohë në kërkim është shpallur shtetasi që largoi 52-vjeçarin nga vendngjarja.
Njoftimi i policisë:
Vodhi 1 000 000 lekë dhe sende me vlerë 20 000 euro, në kasafortën e një banese në rrugën “Musa Agolli”, identifikohet, lokalizohet dhe kapet 52-vjeçari.
Shpallet në kërkim shtetasi që largoi 52-vjeçarin, me automjet, nga vendngjarja.
2 bashkëpunëtorët kanë mbajtur në vëzhgim zonën dhe kanë hyrë në banesë, kur aty nuk kishte banorë.
Sekuestrohen 2 automjete, 1 celular dhe 1 armë zjarri pistoletë me leje, gjatë kontrollit të banesës të 52-vjeçarit.
Pas kallëzimit të një shtetaseje, se më datë 24.10.2025, nga kasaforta në banesën e saj, ishin vjedhur gjatë kohës që nuk kishte patur banorë, 1 000 000 lekë dhe sende me vlerë 20 000 euro, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 organizuan punën për kapjen e autorit/ëve.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, të kryera në kuadër të operacionit “Rojtaret”, u mundësua identifikimi i të dy shtetasve të implikuar në këtë rast, konkretisht P. Z., 52 vjeç dhe D. B., 56 vjeç, të banues në Tiranë. 52-vjeçari u vu në pranga, ndërsa shtetasi D. B. u shpall në kërkim.
Nga këto veprime dyshohet se 2 shtetasit kanë mbajtur në vëzhgim banesën në rrugën “Musa Agolli”, ku shtetasi P. Z. ka hyrë për të vjedhur, kur nuk ka patur banorë. Ndërkaq, shtetasi D. B. ka larguar me automjet, 52-vjeçarin, nga banesa, pasi ky i fundit dyshohet se vodhi nga kasaforta, 1 000 000 lekë dhe sende me vlerë 20 000 euro.
Vijojnë kërkimet për kapjen e shtetasit D. B.
Gjithashtu, vijojnë hetime për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të metejshme.