Aktualitet

Parakalimi i gabuar/ Si humbën jetën dy të rinjtë shqiptarë në Itali

Klinton Sala dhe Denis Cana mbetën viktimë në aksidentin e ndodhur mëngjesin e të dielës në Itali

E.K
Parakalimi i gabuar/ Si humbën jetën dy të rinjtë
viktimat e aksidentit

ITALI- Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mëngjesin e ditës së djeshme, më 9 nëntor, përgjatë unazës jugore të Bergamos, pranë zonës së Stezzano-s. Për pasojë, kanë humbur jetën tre persona: dy shqiptarët, Klinton Sala (23 vjeç) dhe Denis Cana (21 vjeç), të cilët udhëtonin me një Mercedes CLA 220, si dhe Oscar Angioletti (62 vjeç), drejtuesi i një furgoni të bardhë Citroen Berlingo.

Sipas hetimeve paraprake, Mercedes-i i drejtuar nga Klinton Sala po tentonte të parakalonte një Hyundai me dy gra në bord, të cilat pësuan lëndime të lehta. Gjatë manovrës së parakalimit, automjeti doli në korsinë e kundërt dhe u përplas me forcë ballë për ballë me furgonin që drejtohej nga Oscar Angioletti, i cili udhëtonte me vëllain e tij 64-vjeçar. Ky i fundit ndodhet aktualisht në spital në gjendje të rëndë.

Manovra e parakalimit është cilësuar e ndaluar, pasi është kryer në një segment rruge me vijë të dyfishtë të plotë dhe me dukshmëri të kufizuar. Pikërisht në të njëjtën zonë, në shkurt të vitit 2025, kishte humbur jetën edhe 33-vjeçari Gianluigi Cattaneo, në një aksident me rrethana të ngjashme.

Klinton Sala dhe Oscar Angioletti kanë ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa Denis Cana, i cili u transportua në gjendje kritike në Spitalin “Papa Giovanni XXIII” në Bergamo, ndërroi jetë disa orë më vonë.

Në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat e karabinierisë, shërbimet emergjente dhe zjarrfikësit, të cilët punuan për orë të tëra për të nxjerrë trupat dhe për të qarkulluar trafikun. Pjesa e unazës ku ndodhi aksidenti u mbyll për disa orë, ndërsa vijojnë hetimet për të përcaktuar shpejtësinë e automjetit dhe rrethanat e sakta të përplasjes.

Poll

MOS HUMB