GJIROKASTËR- Një tentativë për trafikim të lëndëve narkotike drejt Greqisë është parandaluar nga policia, ndërsa dy persona përfunduan në pranga. Mësohet se dy shtetasit Eduart Mema 35-vjeç dhe Edison Sinani 37-vjeçvjeç, janë arrestuar me kanabis në makinë, me qëllim trafikimin drejt Greqisë.
Dy të arrestuarit janë ndaluar për kontroll në aksin rrugor Tepelenë-Gjirokastër, në tentativë për të transportuar 44 pako me lëndë narkotike, të fshehur te shasia e automjetit tip "Hyundai" me të cilën udhëtonin. Lënda narkotike është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa policia vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Njoftimi:
DVP Gjirokastër/Finalizohet operacioni antidrogë, i koduar “Ura”. Sekuestrohen 34 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa.
U kapën tek ura e fshatit Kardhiq, duke transportuar 44 pako me lëndë narkotike, të cilat i kishin fshehur te shasia e automjetit, me qëllim trafikimin në Greqi, arrestohen 2 shtetas.
Si rezultat i një pune të mirorganizuar hetimore dhe operacionale, të kryer nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit Operacional dhe me shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja", me qëllim goditjen e një tjetër tentative për të trafikuar në Greqi, sasi të madhe lënde narkotike Cannabis Sativa, u finalizua operacioni “Ura”.
Në kuadër të operacionit, u arrestuan në flagrancë shtetasit E. M., 35 vjeç, banues në fshatin Blerimas, Delvinë dhe E. S., 37 vjeç, banues në fshatin Gjashtë, Sarandë.
Të dy u kapën në flagrancë, tek ura e fshatit Kardhiq, duke transportuar me automjet tip “Hyundai”, 44 pako me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa (me peshë totale 34 kilogramë e 5 gramë), dyshohet me qëllim trafikimin në Greqi.
Pakot ishin fshehur në një hapësirë të improvizuar, te shasia e automjetit.
Lënda narkotike u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin tip “Hyundai” dhe me 4 celularë të të arrestuarëve.
Strukturat e DVP Gjirokastër, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetime për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet proceduarale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim./ZËRI