Aktualitet

Kushtetuesja ende pa vendim, 'ngec' edhe Këshilli i Mandateve, shtyhet mbledhja për Ballukun

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, pritet me interes të veçantë, jo vetëm për fatin personal dhe politik të Belinda Ballukut, por edhe për precedentin e vendosur, me pezullimin e ministrave me vendim gjykate.

zh.ll
Kushtetuesja ende pa vendim, 'ngec' edhe Këshilli i Mandateve,
belinda balluku-Këshilli i Mandateve

TIRANË- Mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, e planifikuar për t’u mbajtur sot në mesditë lidhur me kërkesën e SPAK për imunitetin e zv.kryeministres Belinda Ballukut, është shtyrë. Mbledhja është shtyrë për një tjetër datë të pacaktuar, me kërkesë të socialistëve të cilët, kanë kërkuar që të pritet fjala e Kushtetueses.

Shtyrja e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin është njoftuar nga Kuvendi i Shqipërisë përmes një njoftimi publik:

"Në mbështetje të nenit 73 të Kushtetutës, nenit 13, pika 5, dhe nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, si dhe duke marrë në konsideratë se në mbledhjen e parë të Këshillit, të zhvilluar më datë 19.12.2025, deputetë anëtarë të këtij këshilli kanë kërkuar që shqyrtimi i kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar “për dhënie e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”, të lidhet me marrjen dhe vlerësimin paraprak të vendimit përkatës të Gjykatës Kushtetuese, duke vlerësuar se një shqyrtim i tillë synon garantimin e një procesi vendimmarrjeje të plotë, objektiv dhe në përputhje me parimet kushtetuese, me qëllim shmangien e cenimit të parimit të sigurisë juridike dhe garantimin e rregullsisë kushtetuese të veprimtarisë dhe vendimmarrjes së Kuvendit".

Një ditë më parë, Gjykata Kushtetuese nuk doli me një vendim. Mësohet se trupi gjykues ka kërkuar me shumë kohë për të dalë me një vendim, për shkak të kompleksitetit të çështjes.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, pritet me interes të veçantë, jo vetëm për fatin personal dhe politik të Belinda Ballukut, por edhe për precedentin e vendosur, me pezullimin e ministrave me vendim gjykate.

Në seancën e të premtes, 22 janar, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi ankimin e kryeministrit Edi Rama lidhur me vendimin për pezullimin e Ballukut. Qeveria kërkon që Gjykata të interpretojë nenin 103 të Kushtetutës, sipas të cilit anëtarët e qeverisë gëzojnë imunitetin e deputetit, dhe të vendosë nëse Gjykata e Posaçme mund të pezullojë një ministër pa autorizim nga Kryeministri. Sipas qeverisë, SPAK dhe Gjykata e Posaçme kanë ndërhyrë në kompetencat e kryeministrit, si dhe kanë paralizuar vendimmarrjen dhe nxjerrjen e akteve në Ministrinë e Energjitikës dhe Infrastrukturë.

Dy prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, kundërshtuan pretendimet e qeverisë, duke deklaruar se nuk ka konflikt kompetencash mes pushteteve dhe se pezullimi i një ministri nuk është kompetencë e Kryeministrit. Sipas tyre, rikthimi i Ballukut në detyrë, ka ndikuar në prishjen dhe cënimin e provave.

Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese vjen në një moment kur SPAK ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për autorizim për arrestimin e Ballukut, duke e vendosur çështjen në qendër të debateve juridike dhe politike në vend. Vetë socialistët, kanë lënë të kuptohet se qëndrimi i tyre për mandatin e Ballukut do të kushtëzohet nga vendimmaarrja e sotme e Gjykatës Kushtetuese, edhe pse SPAK pretendon se ka paraqitur prova shtesë që rëndojnë pozitën e Ballukut në Kuvend. /ZËRI

Poll

MOS HUMB