VLORË- Rikthehet pjesërisht uji në Vlorë, pas 5 ditësh ndërprerje të furnizimit për shkak të defektit në tubacionin kryesor. Defekti është riparuar pas mesnate dhe rreth orë 04:00 të mëngjesit të sotëm ka nisur furnizimi me ujë i depove të qytetit. Bëhet me dije se ka nisur furnizimi i një pjese të Vlorës, zona e Lungomares, ndërsa pjesa tjetër e qytetit pritet të furnizohet me ujë në orët në vijim.
Aktualisht po mbushen depot kryesore, proces që kërkon edhe disa orë kohë, ndërsa linja 24-orëshe që mbulon zonën e Lungomares ka nisur funksionimin. Ndërkohë, në zona të tjera po vijon furnizimi me ujë nga autobotet. Sipas njoftimit të Ujësjellës Kanalizime Vlorë, ujin e autoboteve qytetarët mund ta përdorin vetëm për nevoja emergjente! Nuk është është i përshtatshëm për t'u pirë apo gatim.
Furnizimi me ujë nuk po realizohet me kapacitet të plotë, pasi pajisja e re e montuar po i nënshtrohet fazës së testimit për të garantuar funksionimin e sigurt dhe të qëndrueshëm të sistemit. Sipas burimeve zyrtare, pritet furnizimi me ujë të normalizohet në të gjithë qytetin gjatë pasdites së sotme.
Aktualisht, një pjesë e zonave të Vlorës po furnizohen me ujë, ndërsa pjesa tjetër e qytetit pritet të marrë furnizim në mënyrë graduale gjatë orëve në vijim. Autoritetet bëjnë me dije se furnizimi nuk po realizohet ende me kapacitet të plotë, pasi pajisja e re e montuar ndodhet në fazë testimi, për të garantuar funksionim të sigurt dhe të qëndrueshëm të sistemit.
Prej 5 ditësh, qytetarët e Vlorës janë përballur me mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm, si pasojë e një defekti të rëndë teknik në sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm. Situata shqetësuese ka ngritur banorët në protestë që prej të dielës dhe ka vijuar edhe gjatë ditës së hënë, teksa është shoqëruar edhe me tensione dhe mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Ndërkohë që në orët e pasdites kanë mbërritur pajisjet nga Stambolli për riparimin e defektit të ujësjellësit të ri të Vlorës, ndërsa në mbrëmje me mbërritjen e pajisjeve në Vlorë, ka rinisur menjëherë puna për rregullimin e tubit kryesor me diametër 1000 milimetra që shërbente për furnizimin me ujë të pijshëm të qytetit bregdetar, i cili ishte çarë./ZËRI

