TIRANË- Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar pas një vendimi të Gjykatës së Tiranës, që vendosi të bllokojë çdo veprim të mundshëm të tij ndaj koncensionarit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Përmes një statusi në rrjetin e tij social, Facebook, Pacolli shkruan se aeroporti po përfundon brenda afatit kontraktual dhe po merr formën e një prej aeroporteve me modernë e funksionalë në gjithë rajonin. Për këtë, bzinesmeni vlerëson vizionin estetik të kryeministrit Edi Rama për Aeroportin e Vlorës.
Postimi:
AEROPORTI I VLORES PO VJEN!
Aeroporti i Vlorës ( investimi me i madh privat ne infrastrukture publike ) po përfundon brenda afatit kontraktual dhe po merr formën e një prej aeroporteve më modernë, më funksionalë dhe më të bukur në gjithë rajonin. Falë edhe vizionit dhe kontributit personal të Kryeministrit Rama, veçanërisht në drejtim të zgjidhjeve estetike dhe dizajnit të brendshëm, kjo vepër po shndërrohet në një “boutique aeroport” – unik në llojin e vet dhe krenari kombëtare.
Më tej, në një koment poshtë postimit të tij, Pacolli ka bërë një reagim të shkurtër lidhur me lajmet po qarkullojnë së fundmi për projektin e Aeroportit të Vlorës, duke i quajtur teori konspirative. Sipas tij, këto shkrime e teori vijnë nga persona që Pacolli thotë se u ka ndërprerë “tagjinë” për shkak të abuzimeve.
“Ditët e fundit po qarkullojnë artikuj të sponsorizuar, thashetheme e teori konspirative nga individë të cilëve u kam ndërprerë “taxhine” për shkak të abuzimeve evidente që kanë kryer. Besoj fort se drejtësia do të veprojë në mënyrë të paanshme dhe ligjore, duke bërë detyrën e saj ashtu siç duhet.”, shkruan Pacolli poshtë postimit të tij.
Gjykata e Tiranës ka vendosur që të bllokojë çdo veprim të mundshëm të tij ndaj koncensionarit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Sipas një vendimi, Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e paraqitur dhe ka marrë masën e sigurimit të padisë ndaj Shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” SH.P.K., duke pezulluar çdo vendim të planifikuar në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve, e cila ishte caktuar të mbahej më 20 tetor 2025.
