Aktualitet

Dumani: Kodi i ri Penal ka nevojë për ndryshime, Veliajt s'i kthejmë përgjigje, ka fraksion tjetër për të! Mandat i dytë? Varemi nga politika

Altin Dumani komentoi krimet zgjedhore, draftin e ri Penal dhe diskutoi për çështje të tjera për të cilat dihet se SPAK po i heton. 

k.m.
Dumani: Kodi i ri Penal ka nevojë për ndryshime, Veliajt s'i
Altin Dumani

TIRANË- Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani ka zhvilluar sot një takim informal me gazetarët duke prekur disa nga "çështjet më të nxehta" që SPAK ka në duar. Dumani komentoi krimet zgjedhore, draftin e ri Penal dhe diskutoi për çështje të tjera për të cilat dihet se SPAK po i heton. Në një takim informal me gazetarët e kronikës, Altin Dumani nuk dha asnjë koment për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që vetëm pak ditë më parë i ndaloi Prokurorisë së Posaçme sekuestrimin e celularëve pa një vendim gjykate. Kështu që për rastin ndaj Oneida Ymerit, ku Kushtetuesja doli me vendimin se s’mund të ketë më sekuestrim celularësh pa vendim gjykate, Dumani tha: Nuk komentojmë, jemi të detyruar ti zbatojmë!

Për draftin e ri të Kodit të ri, Dumani u shpreh se ka nevojë për ndryshime. 

Asnjë koment nuk bëri as për 7 pyetjet nga burgu që i drejtoi kryetari i arrestuar i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Për këtë të fundit u përgjigj shkurt, duke u shprehur se nuk ka asnjë fjalë për të pandehurit. Madje zbuloi se dosja e Veliaj është ndarë në fraksion tjetër dhe po hetohen disa fakte penale. Por u ndal me kaq të dhëna. 

"Nuk i përgjigjemi të pandehurve, vetëm në rrugë ligjore kur ka pretendime, kur sillen memo nga avokatet, kjo është forma proceduriale. Dosja Veliaj është ndarë edhe në një fraksion tjetër dhe po hetohen disa fakte penale,"- tha Dumani.

Kritika kishte për rastin "Gëllçi" që u fitua në Strasburg, duke ngritur shqetësime sesi çështja ishte menaxhuar nga Avokatura e Shtetit. 

“Avokatura e Shtetit nuk na vuri në dijeni për rastin “Gëllçi” në Strasburg. Ka pasur një mungesë të theksuar koordinimi, duke na ulur mundësinë për të mbrojtur vendimmarrjet tona. Kanë shkuar të dhëna të pasakta. Thoma Gëllçi është arrestuar, ndërkohë që në Strasburg është dërguar informacion sikur është vetëdorëzuar,”- tha Dumani.

Sa i përket dosjes "21 janari", kreu i SPAK bëri me dije se dosja është në fazën e hetimit paraprak. Ndër të tjera, Dumani u shpreh se kanë marrë në konsideratë edhe vendimin e Gjykatës së Lartë, si edhe atë të Strasburgut që e quajti krim shtetëror.

“Çështja është në fazën e hetimit paraprak. SPAK ka marrë në konsideratë edhe vendimin e Gjykatës së Lartë dhe Strasburgut. Prokurori është ai që vendos si do të hetoj dhe radhën se si do të merren në pyetje personat. Është një nga dosjet prioritare.”

Për çështjen e “Bankers Petroleum”, Dumani tha dosja është në dorën e Prokurorisë së Fierit që të vendosë nëse do të shpallë moskompetencën, për t’ia kaluar çështjen SPAK-ut.

“Është në të drejtën e prokurorisë së Fierit që të vlerësojë nëse duhet të shpallë moskompetencën e ta sjellë. E njoh përciptazi si ju. Ne nuk mund të marrim iniciativën, ne mund ta tërheqim atë dosje nëse për të njëjtin fakt penal ne të kishim regjistruar diçka. Në këtë kuptim, mbetet në kompetencën e Fierit nëse na i sjell apo jo neve”, tha Dumani.

Duket se SPAK po shikon me prioritet edhe kallëzimin e Partisë Demokratike për gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Irena Gjoka. Por për Dumanin, duhet të provohet fakti penal dhe më pas të bëhet regjistrimi i dosjes. 

“Duhet të provohet fillimisht fakti penal dhe më pas bëhet regjistrimi. Fakti i pretenduar ka ndodhur jashtë territorit të Shqipërisë dhe ne jemi në komunikime. Pasi të vërtetohet, do të kryejmë hetime të mëtejshme”, tha Dumani.

Më pas, u ndal gjatë tek SPAK dhe roli i tij si drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Kreu i SPAK, Altin Dumani u pyet nëse kanë frikë se mund t’ju kufizohen kompetencat.

“Nëse politika vendos të mos bëjë ndryshime apo që SPAK nuk është më i nevojshëm apo ti reduktojmë pavarësinë ky është vendim i politikës. SPAK u krijua edhe si rezultat i vullnetit te partnereve ndërkombëtar, është institucioni më i besuar, e kemi ndërtuar këtë besim në 5 vite e 8 muaj punë,”- tha Dumani.

Sa i përket mundësisë për një mundësi rikandidimi në krye të SPAK, Dumani shtoi: Në Shqipëri ndryshimet ligjore nuk duhen bërë duke patur parasysh një person të veçantë. Unë nuk jam dakord që ndryshimet kushtetuese të bëhen për një emër të caktuar që ju e lidhni me emrin tim. Ndërsa i pyetur nga gazetarët se çfarë note i vendos vetes, kreu i SPAK u përgjigj shkurt. 

"Nuk mund ti vë nota vetes sime. Unë nuk i vë vota të tjerëve, jo më vetes,"-shtoi Dumani./ZËRI

Poll

MOS HUMB