Aktualitet

EMRAT/ Pastruan para përmes blerjes së tokave në Dhërmi, SPAK çon për gjykim 4 spanjollë! Si funksiononte SKEMA...

Sipas dosjes hetimore, një pjesë e këtyre fondeve është përdorur për blerjen e dy pasurive të paluajtshme në zonën e Dhërmiut, me sipërfaqe totale 23.16 hektarë, kundrejt vlerës së deklaruar prej 1,621,200 euro.

zh.ll
EMRAT/ Pastruan para përmes blerjes së tokave në Dhërmi,
Alvaro Romillo Castillo

TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim katër shtetas spanjollë, të akuzuar për pastrim parash në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Sipas hetimeve të SPAK, ata kishin krijuar kompani fiktive në Shqipëri, të cilat dyshohet se përdoreshin për futjen në ekonominë formale të fondeve me origjinë të dyshuar kriminale.

Sipas dosjes hetimore, një pjesë e këtyre fondeve është përdorur për blerjen e dy pasurive të paluajtshme në zonën e Dhërmiut, me sipërfaqe totale 23.16 hektarë, kundrejt vlerës së deklaruar prej 1,621,200 euro.

Castillo së bashku babin e tij, Domingo Romillo Iriarte dhe partneren Mihaela Munteanu Manole kishin krijuar kompani në shtete të ndryshme të botës, si Spanjë, Portugali, Shqipëri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Republika Dominikane dhe Estonia. 

Nga hetimet rezulton se:

-Domingo kishte rolin e drejtuesit dhe organizues në krijimin dhe funksionimin e skemës, duke administruar shoqëritë tregtare.

-Mihaela Munteanu Manole dhe Alvaro Romillo Castillo dyshohet se kanë marr pjesë në këtë strukturë kriminale përmes rolit të tyre formal në shoqëritë e lartëpërmendura duke kontribuar në krijimin e pamjes së ligjshme të veprimtarisë ekonomike dhe në qarkullimin e fondeve.

-Doris Pere dyshohet se ka ndihmuar në funksionimin e skemës duke kryer veprime administrative, bankare dhe organizative në Shqipëri përfshirë sigurimin dhe përdorimin e adresave për shoqëritë tregtare.

Alvaro Romillo Castillo i njohur në rrjetet e koduara si “Luis” apo “Cryptospain”, komunikonte me klientët në platformën Telegram, duke i bindur të investonin shuma që nisnin nga 1.5 milionë euro, pa pasur detyrimin të identifikoheshin. Kjo e bënte të pamundur gjurmimin e transaksioneve financiare.

Sipas hetimeve, rrjeti kriminal kishte ngritur kompani fiktive në Portugali, SHBA, Estoni, Republikën Dominikane dhe Shqipëri, për të fshehur qarkullimin e parave. Dy prej këtyre kompanive, “Wortned” dhe “Wortonova”, u regjistruan në Qëndrën Kombëtare të Biznesit në Tiranë në qershor 2024, me adresë në rrugën “Teodor Keko”. Të dyja kompanitë kishin si objekt aktivitetin turistik dhe menaxhimin e hoteleve, por sipas dokumenteve, ato nuk zhvilluan ndonjë veprimtari të vërtetë.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr.136 të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve:

Domingo Romillo Iriarte, i akuzuar për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”,”Kryerje e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 287, 28/4, 333/a/1 dhe 334 të Kodit Penal.
Mihaela Munteanu Manole, e akuzuar për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 287, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal.
Alvaro Romillo Castillo, i akuzuar për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 287, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal.
Doris Pere, e akuzuar për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se të pandehurit kanë krijuar dhe përdorur shoqëritë tregtare “Wingwort” sh.p.k., “Wortnova” sh.p.k. dhe “Wortend” sh.p.k., të regjistruara në Shqipëri gjatë muajit qershor 2024 me kapital minimal, me të njëjtën adresë për të tre shoqëritë, por pa zhvilluar veprimtari reale ekonomike.

Sipas provave të administruara, këto shoqëri janë përdorur si mekanizma për futjen e fondeve me origjinë të dyshuar kriminal, në qarkullimin dhe integrimin në ekonominë formale. Hetimet kanë evidentuar, transaksione bankare dhe tatimore me vlera të konsiderueshme, fatura të dyshuara si fiktive, pagesa pa dokumentacion ekonomik justifikues, si dhe transferta ndërkombëtare me subjekte të huaja, të lidhura me personat e përfshirë në këtë skemë.

Shoqëria “Wortend” sh.p.k. ka realizuar qarkullime financiare në vlera të larta, të cilat nuk përputhen me aktivitetin e deklaruar dhe kapacitetet reale ekonomike të saj. Gjithashtu, janë konstatuar kreditime bankare që tejkalojnë vlerën e faturave të lëshuara, pagesa ndaj shoqërive të huaja pa dokumentacion justifikues, si dhe blerje të pasurive të paluajtshme dhe automjeteve me vlerë të lartë. Një pjesë e fondeve janë përdorur për blerjen e dy pasurive të paluajtshme në zonën e Dhërmiut, me sipërfaqe totale 23.16 hektarë, kundrejt vlerës 1,621,200 euro.

Nga akti i ekspertimit vlerësues ka rezultuar se vlera e tregut e këtyre pasurive në momentin e shitblerjes ishte më e lartë se vlera e deklaruar në kontratë.

Gjatë hetimit është administruar informacion i ardhur përmes bashkëpunimit ndërkombëtar nga autoritetet gjyqësore të Mbretërisë së Spanjës, ku rezulton se disa prej të pandehurve janë subjekt hetimi për vepra penale të mashtrimit.

Nga analiza e provave, ka rezultuar se i pandehuri Domingo Romillo Iriarte ka pasur rolin drejtues dhe organizues në krijimin dhe funksionimin e skemës, duke administruar shoqëritë tregtare, duke orientuar qarkullimin e fondeve dhe vendosur për investimet në pasuri të paluajtshme dhe asete të tjera.

Të pandehurit Mihaela Munteanu Manole dhe Alvaro Romillo Castillo dyshohet se kanë marr pjesë në këtë strukturë kriminale përmes rolit të tyre formal në shoqëritë, “wortnova” sh.p.k. dhe “wortend” sh.p.k., duke kontribuar në krijimin e pamjes së ligjshme të veprimtarisë ekonomike dhe në qarkullimin e fondeve.

Ndërsa e pandehura, Doris Pere dyshohet se ka ndihmuar në funksionimin e skemës duke kryer veprime administrative, bankare dhe organizative në Shqipëri përfshirë sigurimin dhe përdorimin e adresave për shoqëritë tregtare, si dhe kryerjen e pagesave të ndryshme në emër të tyre.

Mbi pasuritë në pronësi të të pandehurve Domingo Romillo Iriate, Alvaro Romillo Castillo dhe Mihaela Munteanu Manote është vendosur masa e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”.

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka çmuar se provat e mbledhura janë të mjaftueshme për dërgimin e çështjes në gjyq në ngarkim të të pandehurve të sipërcituar.

Poll

MOS HUMB