TIRANË-Një grup pedagogësh i janë bashkuar protestës në Tiranë, në mbështetje të studentëve. Organizimi i tyre ka nisur para Universitetit Politeknik të Tiranës.
“Bashkohu! Mos qëndro indiferent!”, është thirrja e pedagogëve në mbështetje të studentëve dhe kërkesave të tyre.
Nga ana e pedagogëve është bërë edhe një peticion, ku bëhet thirrje që të dëgjohen kërkesat e studentëve. Rreth 1 mijë pedagogë raportohet se kanë nënshkruar peticionin, përmes të cilit kërkohet largimi i kryeministrit Edi Rama nga detyra dhe krijimi i një qeverie kujdestare.
Sipas pedagogëve, një qeveri e tillë duhet të garantojë stabilitetin institucional, qetësimin e tensioneve dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve. Nënshkruesit u kërkuan gjithashtu punonjësve të policisë të ndërpresin dhunën ndaj studentëve dhe të refuzojnë zbatimin e urdhrave të paligjshëm, duke paralajmëruar se përgjegjësia për veprime të tilla është individuale.
Deklarata e plotë
Të tronditur nga dhuna e pajustifikuar e ushtruar ndaj studentëve tanë dhe shkelja e dëshmuar e të drejtave të njeriut gjatë protestës, ne një grup pedagogësh:
1. I bëjmë thirrje kryeministrit Rama që të dëgjojë kërkesat e studentëve dhe t’i hapë rrugë paqëtimit të vendit. Kërkojmë dorëheqjen e tij dhe krijimin e një qeverie kujdestare, e cila të sigurojë stabilitetin institucional, qetësimin e situatës dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.
2. I bëjmë thirrje policisë dhe aktorëve të tjerë të ruajtjes së rendit që të ndalojnë menjëherë çdo akt dhune ndaj studentëve dhe të refuzojë të zbatojë urdhëra të paligjshëm. Mos harroni se ata që ju japin këto urdhëra sot, nesër do t’i mohojnë, ndërsa përgjegjësia do të mbetet mbi ju që jeni dokumentuar nga filmimet e qytetarëve dhe mediave.
3. I bëjmë thirrje përfaqësive diplomatike në Tiranë që të ndërhyjnë publikisht për respektimin e të drejtave të qytetarëve, njësoj siç respektohen të drejtat e qytetarëve në vendet tuaja.
4. I bëjmë thirrje protestuesve që të mbrojnë bizneset dhe pronën publike e private për t’i hequr çdo justifikim qeverisë për ushtrimin e dhunës dhe delegjitimimin e protestës.
5. I bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës, që njësoj si në 1991 t’u bashkohen studentëve për të pamundësuar dhunën ndaj tyre. Asnjë qeveri nuk ka mjaftueshëm policë e gaz lotsjellës për një popull të tërë.