TIRANË- Një pengmarrje dhe kërkimi i një gjobe prej 2 milionë euro ishte ngjarja e zbuluar nga Policia e Shtetit sot. Viktima e marrë peng raportohet se është Florian Sula, 32 vjeç. Ai u mor peng në zonën e ish-parkut nga dy vëllezërit Jurgen e Kevin Neza dhe djali i xhaxhit i tyre, Hysen Neza, me qëllim për t’i marrë 2 milionë euro.
Por kush është 32-vjeçari i marrë peng? Nga verifikimet e bëra nga ZËRI rezulton se Sula është pronar i disa bizneseve në fushën e ndërtimit dhe call centerave. Ndërkohë që dhjetra raportime në mediat online e lidhin emrin e tij me transaksione të dyshimta financiare përfshirë shitblerjen e pronave dhe ndërtimin, si mbulesë e aktivitetit në fushën e Call Centerave.
Dinamika e pengmarrjes
Autorët Jurgen, Kevin dhe Hysen Neza vëzhguan për rreth dy muaj lëvizjet e Sulës, i cili sapo ishte kthyer në Shqipëri. Ditën e 31 marsit, teksa biznesmeni ishte duke pirë kafe në zonën e ish-parkut, tre autorët i janë afruar sapo është larguar nga lokali dhe e kanë detyruar të hyjë në automjet.
Pengmarrësit me syze e maska farmacie i janë prezantuar si agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Pas rrëmbimit, 32-vjeçari është dërguar në një ambient në zonën e Xhafzotajt, ku është mbajtur për disa orë. Fillimisht i kanë kërkuar 2 milionë euro, por pasi biznesmeni ka kundërshtuar duke deklaruar se nuk dispononte një shumë të tillë, ata e kanë ulur kërkesën në 1 milion euro, e më pas në 500 mijë euro. Në fund, e kanë liruar në orët e mëngjesit me qëllim që të siguronte shumën e kërkuar.
Menjëherë pas lirimit, 32-vjeçari është drejtuar policisë, ku ka denoncuar me detaje të gjithë ngjarjen, duke i vënë në lëvizje për kapjen e autorëve. Lidhur me rastin, Policia ka arrestuar Hysen dhe Kevin Nezën, ndërsa vëllai i këtij të fundit Jurgen Neza është shpallur në kërkim. Ndërkohë që hetimet vazhdojnë. A fshihet pas pengmarrjes një prishje e pazareve në fushën e call centerave, që është edhe një nga betejat kryesore të Policisë së Shtetit dhe SPAK?/ZËRI