Aktualitet

Përgjimet ambientale në Komisariat 'fundosën' oficerin e Krimeve të Rënda, 2 shpërndarësit e drogës: Do të na lirojë...

Sipas informacioneve paraprake, Ruçi i ka kërkuar këtij shtetasi një shumë parash në këmbim të lirimit të tij

F.I
Përgjimet ambientale në Komisariat 'fundosën' oficerin
FOTO ILUSTRUESE

SARANDË-Detaje të reja janë zbardhur nga arrestimi i nënkomisarit Edmond Ruçit, specialist për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë. Raportohet se përgjimi ambiental i dy shpërndarësve të lëndëve narkotike ka çuar në ndalimin e Ruçit nga AMP, i cili akuzohet për veprën penale “Korrupsion pasiv”.

Prokuroria e vendit njofton se pas arrestimit të dy shpërndarësve të drogës lindën dyshime per përfshirje në veprimtari të kundraligjshme nga oficeri i policisë gjyqësore, që po hetonte rastin në fjalë. Mësohet se gjatë shoqërimit të tyre, në ambientet e dhomave të ndalimit janë instaluar pajisje përgjimi, gjë që ka çuar më pas në evidentimin e dyshimeve ndaj efektivit të policisë. 

Dyshimet janë se nënkomisari Edmond Ruçi ka tentuar të kryejë veprime të paligjshme me qëllim favorizimin e njërit prej personave të arrestuar. Sipas informacioneve paraprake, Ruçi i ka kërkuar këtij shtetasi një shumë parash në këmbim të lirimit të tij, si dhe për transferimin e përgjegjësisë penale tek shtetasi tjetër i ndaluar. Pas përgjimeve dhe veprimeve hetimore të kryera nga AMP dhe Prokuroria, është bërë edhe ndalimi i oficerit Edmond Ruçi.

NJOFTIMI:

Hetimet e Prokurorisë Sarandë për një çështje për ‘Prodhimin e shitjen e narkotikëve’ çojnë në ndalimin e oficerit të policisë, i dyshuar për përfshirje në korrupsion pasiv.

Një oficer i policisë gjyqësore në Sarandë, shtetasi E.R., është ndaluar me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Sarandë, i dyshuar për veprën penale ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal.

Ndalimi u krye në vijim të hetimeve për procedimin penal nr.305, datë 19.05.2026, i regjistruar për veprën penale te “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasve K.D. dhe A.Z., pasi në automjetin e drejtuar nga shtetasi A.Z., u gjetën dhe sekuestruan 24 doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa. Këta shtetas u arrestuan në flagrancë dhe hetimet po vijojnë.

Gjatë hetimit të këtij rasti, lindën dyshime per përfshirje në veprimtari të kundraligjshme nga oficeri i policisë gjyqësore, që po hetonte rastin në fjalë, shtetasi E.R.

Për rrjedhojë, nga ana e prokurorit të gatshëm, u kryen veprime hetimore, nga ku rezultuan të dhëna për përfshirjen e oficerit që heton çështjen në vepime të dyshuara korruptive dhe  ndaj tij u procedua me urdhër për ndalimin e të dyshuarit për një krim per veprën penale te “Korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike” prashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal. Oficeri i policisë gjyqësore është ndaluar nga shërbimet e AMP dhe hetimet po vijojnë./ZËRI

Poll

MOS HUMB