TIRANË-Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar sot kërkesën e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka kërkuar të shpallet antikushtetues masa e “arrestit në burg”, e vendosur nga GJKKO në shkurt të vitit 2025, masë e cila u konfirmua më vonë nga Apeli i GJKKO-së dhe nga Gjykata e Lartë. Gjyqtarët kanë arritur të mbyllin shqyrtimin gjyqësor, por nuk u shprehën me vendim pasi kanë kërkuar kohë. Tashmë vendimmarrja pritet të shpallet në seancën e radhës, data e së cilës ende nuk është caktuar.
Në dokumentet e dorëzuara para Kushtetueses, Veliaj argumenton se masa e vendosur i ka cenuar lirinë individuale dhe, si kryebashkiak, edhe aftësinë për të ushtruar detyrën e tij, duke e konsideruar këtë si një cenim të dyfishtë. Ai pretendon se vendimi nuk është proporcional, pasi është qytetar i zgjedhur sipas Kushtetutës, dhe se nuk janë analizuar kriteret e nevojshme për vendosjen e masës së sigurimit. Sipas Kodit të Procedurës Penale, pas një periudhe kohore, çdo person duhet të gjykohet në liri kundrejt një garancie pasurore.
Lidhur me pretendimet SPAK këmbëngul se dyshimi i arsyeshëm është vërtetuar edhe nga gjykatat, ndërsa fakti që ka bashkëpunuar edhe me të tjerët e ka rënduar pozitën e Veliajt. Sipas SPAK-ut, fakti që Veliaj është në detyrë përbën arsye të mjaftueshme për ndikim tek dëshmitarët dhe tek bashkëpunëtori i drejtësisë. Po ashtu, sipas prokurorëve, veprat penale për të cilat Veliaj akuzohet rezultojnë të vërtetueshme nga një sërë provash konkrete. Ndryshe nga sa Veliaj ka ngritur si shkelje, Prokuroria thotë se të gjitha vendimet e Gjykatave të Posaçme janë në përputhje me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI
