Aktualitet

Sarandë/ Dhunuan fizikisht shefin e Krimeve, 6 badigardë përfundojnë në burg

Efektivi ka ndaluar dhe ka ndërhyrë për të qetësuar situatën, duke u identifikuar si punonjës policie.

M.K.
Sarandë/ Dhunuan fizikisht shefin e Krimeve, 6 badigardë
foto nga vendi i ngjarjes

SARANDË- Gjykata e Sarandës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për gjashtë badigardët e “Orange” club pas një konflikti të dhunshëm në qytet, ku përfshi edhe shefi i Krimeve, Mateo Bakalli. Ku të arrestuar janë Marjo Katiraj 35 vjeç, Elgent Ndoj, 38 vjeç, Faik Hoxha 35 vjeç, Indrit Cullhaj 34 vjeç, Ardit Kasemi 31 vjeç dhe Besnik Sullollari, 29 vjeç, ndërsa në kërkim u shpall Pjetër Doçi, 28 vjeç. 

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:20 të mëngjesit në rrugën “Butrinti”. Sipas të dhënave të hetimit, Bakalli po udhëtonte me automjet kur ka parë një përplasje mes disa personave dhe punonjësve të sigurisë së një lokali.

Efektivi ka ndaluar dhe ka ndërhyrë për të qetësuar situatën, duke u identifikuar si punonjës policie. Por ndërhyrja e tij ka sjellë një tjetër përshkallëzim, pasi është goditur fizikisht nga personat e përfshirë në konflikt.

Bakalli ka reaguar për të mbrojtur veten dhe më pas ka kërkuar ndihmën e kolegëve. Forcat e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje pak minuta më vonë dhe kanë bërë të mundur shoqërimin e personave të përfshirë.

Pas hetimeve, gjashtë prej tyre janë arrestuar dhe janë dërguar përpara gjykatës. Në seancën e zhvilluar ne Sarandë, gjyqtari ka vendosur masën “arrest me burg' për të gjashtë të dyshuarit, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë.

Në këtë dosje janë evidentuar edhe shkelje të tjera. Dy punonjës policis janë pezulluar nga detyra pasi rezultoi se, krahas detyrës së tyre, punonin si roje sigurie në një lokal pa autorizimin përkatës. Autoritetet vijojnë hetimet për të dokumentuar plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë.

Nga informacionet paraprake bëhet me dije se Bakalli është konfliktuar fizikisht me disa persona dhe më pas është dhunuar. Për pasojë, Bakalli ka pësuar dëmtime në trup dhe në fytyrë, ndërsa është paraqitur në spital në mëngjes, me hematoma në sy e lëndime të tjera. Sipas burimeve, pasi ka marrë mjekimin, Bakalli ka lënë ambientet e spitalit./ZËRI

Poll

MOS HUMB