
SHKODËR- Fadromat e Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) janë pritur me molotovë sot në Theth. Edhe mesditën e sotme në kuadër të aksionit të prishjeve të hapësirave pa leje, në zonë kanë shkuar fadromat, por janë pritur me molotovë artizanalë, të përgatitur nga vetë banorët.
Një person ende i paidentifikuar ka qëlluar me molotov fadroma të IKMT‑së si edhe kanë djegur urën kryesore të lagjes “Gjelaj”. Menjëherë pas incidentit, forcat e Policisë së Shtetit kanë rrethuar të gjithë zonën duke patrulluar me armë zjarri në duar. Një sqarim për situatën e krijuar e ka bërë edhe Policia e Shkodrës, e cila bën me dije se kanë mundur të shuajnë flakët në urë. Në pamje shfaqet edhe drejtuesi i IKMT-së mbi fadromë duke zbritur me shpejtësi për t'u shpëtuar flakëve. Në ndihmë të tij shkojnë punonjësit e Policisë së Shtetit, e pajisur me antiplumb dhe me armët gati. Por edhe pse situata është përshkallëzuar, për fat të mirë asnjë nuk ka mbetur i lënduar.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër
Në lidhje me një lajm të publikuar në media dhe rrjete sociale, se në fshatin Theth janë sulmuar me lëndë djegëse (molotovol) mjetet fadromë të IKMT-së dhe një urë në lagjen “Gjelaj”, sqarojmë se: Rreth orës 15:35, një shtetas ende i paidentifikuar ka hedhur në rrugë një shishe me lëndë djegëse, duke tentuar djegien e një ure druri, por me ndërhyrjen e Policisë është parandaluar djegia e plotë e saj. Nga zjarri, ura ka pësuar dëmtime të pjesshme. Sqarojmë se asnjë mjet fadromë nuk është sulmuar me lëndë djegëse dhe nuk është shkaktuar asnjë dëm material apo rrezik për jetën e qytetarëve apo punonjësve të shërbimeve shtetërore.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë ndodhen në zonë, në mbështetje të strukturave të IKMT Tiranë dhe IMT të Bashkisë Shkodër, për zbatimin e planit për prishjen e ndërtimeve pa leje në fshatin Theth. Grupi hetimor vijon veprimet për identifikimin dhe kapjen e personit që hodhi në rrugë lëndën djegëse. Policia është e vendosur për të garantuar sigurinë e shtetasve dhe të automjeteve që punojnë në zonë për prishjen e ndërtimeve pa leje dhe apelon për banorët që të mos kryejnë veprime që pengojnë veprimet e ligjshme të strukturave që operojnë në terren, pasi do të përballen me forcën e ligjit.
Aktualisht, forcat e rendit kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur kërkimet për "kryengritësit". Ndërkohë që edhe aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje vijon, në Theth janë dërguar për përforcime edhe grupi i FNSH-ve të Shkodrës me tre mjete dhe forca të shtuara policore.
Aksioni i lirimit të hapësirave publike ka nisur pothuajsë në të gjithë vendin me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Fenomeni “tokë e xanun”, sipas Ramës, nuk do të ekzistojnë më. Lidhur me këtë, ai ka bërë thirrje për të gjitha bizneset apo individët të cilët kanë zaptuar padrejtësisht hapësirat publike, t’i lirojnë menjëherë. Sakaq, kryeministri ka paralajmëruar se do të përballen me ligjin kushdo që e kundërshton aksionin. Ky aksion ka nisur prej ditësh në Vlorë, Theth, Tiranë dhe po zhvillohet në të gjitha qytet, duke përfshirë edhe kryeqytetin./ZËRI