Aktualitet

‘Përshëndetje, kjo është mafia shqiptare’/ Tronditet Australia, ekzekutimi filmohet me dron dhe publikohet online

Vetë vrasësit publikuan pamje ajrore të filmuara me dron, ku shihej autori duke iu afruar Cheung-ut dhe duke e qëlluar për vdekje jashtë shtëpisë së tij.

F.I
‘Përshëndetje, kjo është mafia shqiptare’/
PAMJE NGA NGJARJA

AUSTRALI-Policia australiane ka shpallur një epokë të re të krimit të organizuar, pasi vrasësit përdorën një dron për të filmuar një ekzekutim mafioz në Sidnej këtë javë dhe më pas e publikuan videon në internet. Mediat vendase bëjnë me dije se Jack Cheung, 35 vjeç, u qëllua për vdekje jashtë shtëpisë së tij në Carlingford, në veriperëndim të Sidnejt, të mërkurën në mëngjes.

Ai u gjet i pajetë në hyrjen e shtëpisë së tij në North Rocks Road, rreth orës 05:30, ndërsa trupi i tij u zbulua vetëm 90 minuta më vonë, kur hidraulikët mbërritën për të punuar në banesë.

Disa orë më vonë, detektivët e policisë së New South Wales (NSW) bënë një thirrje publike për pamje nga kamerat e sigurisë (CCTV) dhe kamerat e makinave (dashcam), për të ndihmuar hetimin. Por ishin vetë vrasësit që iu përgjigjën kësaj thirrjeje, duke publikuar pamje ajrore të filmuara me dron, ku shihej autori duke iu afruar Cheung-ut dhe duke e qëlluar për vdekje jashtë shtëpisë së tij.

Pamjet sfiduese u publikuan gjatë natës në një platformë të rrjeteve sociale, të shoqëruara me një mesazh të shkurtër.

“Përshëndetje, kjo është mafia shqiptare; kemi pamje të ekzekutimit të zotit Cheung nga bandat sot në Carlingford.”

“Kjo është shqetësuese,” tha zëvendëskomisioneri i Policisë, Scott Cook.

Është një epokë e re në krimin e organizuar.”

Ndërkohë, shefi i Policisë së NSW-së, Mal Lanyon, tha se ka shqetësimet e tij, pasi bota e krimit në Sidnej tashmë po publikon rregullisht pamje të ekzekutimeve mafioze në platforma publike. 

Publikimi i pamjeve me dron vjen pak pasi u zbulua se në makinën e Cheung-ut ishte gjetur e instaluar një pajisje gjurmimi GPS, përpara se ai të binte në pritë dhe të ekzekutohej.

Cheung jetonte në atë banesë së bashku me nënën e tij, e cila të mërkurën ishte duke u kthyer me nxitim nga një pushim në Tajlandë. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se autori mbërriti me një SUV në orën 05:31 dhe qëndroi në zonë vetëm tre minuta. Megjithatë, detektivët e vrasjeve ende po hetojnë momentin e saktë kur 35-vjeçari u plagos për vdekje.

Policia vazhdon kërkimet për autorin dhe automjetin e përdorur prej tij. Sipas 7NEWS, vëllai i Cheung-ut është anëtar i ‘Coconut Cartel’, një nga grupet më famëkeqe kriminale të Sidnejt, i cili u shfaq fuqishëm në botën e krimit të qytetit në fillim të këtij viti. Detektivët po hetojnë nëse vrasja ka lidhje me luftërat mes bandave kriminale. Policia do të marrë në pyetje dëshmitarët dhe do të mbledhë pamje nga kamerat e sigurisë (CCTV), ndërsa hetimet paraprake vazhdojnë.

Poll

MOS HUMB