Aktualitet

"I biri erdhi me 15 vetë"-Përshkallëzohet konflikti për Rrjollin! Fatmir Shpellzaj: Banorët më dhunuan djalin, e morën zvarrë dhe...

Përmes një reagimi publik, Shpellzaj ka treguar se djali dhe një shok i tij janë dhunuar rënë nga disa persona, duke u shkaktuar dëmtime të rënda dhe duke i çuar në spital.

zh.ll
"I biri erdhi me 15 vetë"-Përshkallëzohet konflikti
Fatmir Shpellzaj

TIRANË- Konflikti për pronën në Rrjoll të Shkodrës sa vjen e përshkallëzohet, me incidente, dhunë fizike mes palëve dhe policisë. Një incident i tillë është regjistruar edhe mbrëmjen e djeshme dhe është bërë publik nga ish-drejtori i Kadastrës, Fatmir Shpellzaj. Ky i fundit akuzohet nga banorët e Rrjollit se ka falsifikuar dokumentet dhe u ka vjedhur pronën për t’ia dhënë më pas ndërtuesit dhe botuesit Bashkim Ulaj për të ndërtuar resortin luksoz në tokën e tyre.

Përmes një reagimi publik, Shpellzaj ka treguar se djali dhe një shok i tij janë dhunuar rënë nga disa persona, duke u shkaktuar dëmtime të rënda dhe duke i çuar në spital. Ngjarja ka ndodhur jashtë ambienteve të televizioni ku ai ishte i ftuar në emisionin 'Opinion'. Sipas tij, këta persona nuk kanë dokumente për pronën dhe po përdorin dhunën.

Gjithashtu, ai pretendon se është kërcënuar edhe avokatja e tij dhe i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë të ndërhyjnë dhe të vendosin drejtësi për ngjarjen. Në përfundim të reagimit, ai thekson se do të vazhdojë ta mbrojë çështjen e tij vetëm me dokumente dhe të vërtetën.

Reagimi i plotë i Fatmir Shpellzës:

Sapo dola nga Spitali i Traumës, ku për orë të tëra kam qëndruar pranë tim biri, i cili u masakrua brutalisht nga një tufë njerëzish që në vend të dokumenteve, kanë në dorë vetëm dhunën.

Ata që kanë dhunuar varret e familjes sime, dje dhunuan edhe djalin tim dhe kjo nuk është më një çështje prone.

Ngjarja ndodhi dje pasi zgjodha të shkoj për të mbrojtur të vërtetën time në emisionin Opinion përballë disa personave që prej kohësh  kanë ngritur një histori të rreme mbi Rrjollin, duke manipuluar ndjeshmërinë e njerëzve dhe duke u paraqitur si pronarë apo trashëgimtarë të një toke për të cilën nuk kanë asnjë dokument.

Gjithmonë e kam ditur me kë kam të bëj dhe kam qenë i përgatitur për më të keqen, por ata po kalojnë çdo kufij ligjor, moral dhe njerëzor.

Në ambientet e televizionit Klan, ku unë isha për të mbrojtur të vërtetën time, ata sulmuan barbarisht djalin tim, i cili kishte ardhur vetëm për të më shoqëruar.

Gjithashtu, sulmuan fizkisht shokun e tij duke i shkaktuar fraktura të rënda të dyve.

Si një çetë e tërbuar nga fakti që dokumentet dhe ligji janë kundër tyre, e tërhoqën zvarrë dhe e dhunuan në mënyrën më të rëndë, deri sa përfunduam në spital, ku qëndruam deri në mëngjes, aq sa pas Spitalit Nënë Tereza na u desh të kalojmë për mjekim më të specializuar tek Trauma.

Gjithashtu, këta persona, kanë kanosur avokaten time, zonjën e nderuar mbrojtëse e cila dje ka marrë telefonata kërcenuese nga më të rëndat.

I bëj thirrje urgjente Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që të reagojnë menjëherë dhe të vendosin drejtësinë për këtë akt barbar, sepse askush nuk mund të marrë ligjin në duart e veta.

U kërkoj ndjesë qytetarëve për këtë situatë të rëndë që po krijohet rreth kësaj çështjeje.

Gjithashtu i kërkoj ndjesë kompanisë Gener 2, e cila iu afrua kësaj zone me një vizion zhvillimi dhe që sot po detyrohet të përballet me akte primitive që nuk kanë asnjë lidhje me qytetarinë.

Të dashur shqiptarë, unë kam vetëm një armë: Dokumentet dhe të vërtetën.

Deri në fund!

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i banorëve të Rrjollit, Prekë Molla, ka një tjetër version të kësaj ngjarjeje. Molla pretendon se konflikti ka nisur pasi djali i Fatmir Shpellzaj e ka provokuar fillimisht duke e ndeshur me sup, ç'ka më pas ka sjellë një përplasje verbale mes tyre. Gjatë debatit, djali i Shpellzaj është shprehur se kishte ardhur i përgatitur.

Përfaqësuesi i banorëve, Prekë Molla, shprehet se banorët janë ndjerë të provokuar dhe se gjatë konfliktit nuk kanë munguar edhe kërcënimet nga ana e djalit të Fatmir Shpellzajt, pasi ky i fundit ka qenë i shoqëruar nga 10-15 persona të tjerë. Banorët kërkojnë që organet kompetente të hetojnë plotësisht ngjarjen dhe të vendosin përgjegjësitë përkatëse./ZËRI

Poll

MOS HUMB