TIRANË-Përpos protestës një tjetër incident dhune është raportuar ndaj banorëve të Rrjollit, të cilët për rreth më shumë se një muaj po kundërshtojnë ndërtimin e resortit të Bshkim Ulajt në kufi mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër. Së fundmi mbrëmjen e kaluar, përfaqësuesi i tyre Prekë Molla është përplasur fizikisht me disa persona.
Lidhur me ngjarjen Molla pretendon se konflikti ka nisur pasi djali i Fatmir Shpellzaj e ka provokuar fillimisht duke e ndeshur me sup, çka më pas ka sjellë një përplasje verbale mes tyre. Gjatë debatit, djali i Shpellzaj është shprehur se kishte ardhur i përgatitur.
Molla deklaron gjithashtu se djali i Shpellzaj ka qenë i shoqëruar nga rreth 10–15 persona, të cilët sipas tij kanë qenë të armatosur dhe të pajisur edhe me shkopinj bejzbolli. Sipas tij, ata kishin ardhur me qëllimin për t’i marrë dokumentet, pasi kishin menduar se ai ndodhej vetëm. Ai shprehet se është tërhequr zvarrë nga disa prej tyre në përpjekje për t’i marrë dokumentet, por pavarësisht kësaj ata nuk kanë arritur ta realizojnë këtë qëllim.
Pas përshkallëzimit të situatës janë përfshirë edhe banorë të tjerë të Rrjollit, disa prej të cilëve kanë pësuar lëndime dhe kanë përfunduar për trajtim në spital. Banorët e Rrjollit i janë drejtuar menjëherë organeve të policisë, ku kanë dhënë edhe deklaratat e tyre lidhur me ngjarjen.
Përfaqësuesi i banorëve, Prekë Molla, shprehet se banorët janë ndjerë të provokuar dhe se gjatë konfliktit nuk kanë munguar edhe kërcënimet nga ana e djalit të Fatmir Shpellzajt. Banorët kërkojnë që organet kompetente të hetojnë plotësisht ngjarjen dhe të vendosin përgjegjësitë përkatëse./ZËRI