TIRANË-Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë sot çështjen ndaj zëvëndëskryeministres dhe ministres ministër së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në një seancë plenare publike. Në seancë Kushtetuesja do të vendosë për kërkesën e qeverisë për shqyrtimin në themel të çështjes.
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së të marrë në nëntor 2025 për pezullimin e Ballukut nga detyra. Në këtë proces do të jenë të pranishëm edhe SPAK, GJKKO-ja e Shkallës së Parë, Kuvendi i Shqipërisë dhe Presidenti i Republikës.
Më 12 dhjetor, Gjykata Kushtetuese riktheu në detyrë zv.kryeministren, njëherësh ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Me shumicë votash, 5 me 3, u vendos pezullimi i vendimit të GJKKO-së i datës 20 nëntor. Po në të njëjtën mbledhje, dhe me të njëjtën shumicë votash, Gjykata Kushtetuese vendosi edhe pranimin e ankimimit të Qeverisë të bërë ndaj kësaj çështjeje.
Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi për pezullim nga detyra të zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Gjykata arsyetoi se vendimi erdhi pasi Balluku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. Ndërkohë, Balluku është vënë në hetim edhe për të 7 lotet e Unazës së Madhe, një projekt për të cilin janë prokuruar 45.9 miliardë lekë (450 milion euro).
Në vijim të çështjes Këshilli i Imunitetit dhe Mandateve do të mblidhet më datë 28 janar për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres dhe njëkohësisht ministrres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. SPAK kërkon arrestimin e Ballukut për shkak se situata penale është rënduar dhe zv.kryeministrja dyshohet për manipulim në të paktën 11 tendera dhe rrezikon që të kryejë krime më të rënda për shkak të personalitetit të saj./ZËRI


