Aktualitet

Pezullohet projekti për restaurimin e burgut të Spaçit, ish të burgosurit protestë: Mos e prekni historinë!

Të gjithë ata që dikur kanë qenë të dënuar, por edhe kryebashkiaku i Mirditës, Albert Mëlyshi, ngritën zërin kundër projektit të filmit që ka nisur që të zhvillohet në ambientet e ish-burgut.

k.m.
Pezullohet projekti për restaurimin e burgut të Spaçit, ish
Pamje nga protesta

MIRDITË- Shoqata anti-komuniste e ish të përndjekurve politikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile protestuan sot në ambientet e ish-burgut të Spaçit. Të gjithë ata që dikur kanë qenë të dënuar, por edhe kryebashkiaku i Mirditës, Albert Mëlyshi, ngritën zërin kundër projektit të filmit që ka nisur që të zhvillohet në ambientet e ish-burgut. Sipas tyre, rikonstruktimet që po bëhen për të xhiruar filmin, por ndërhyjnë në godinë duke fshirë historinë që mbart. Sipas aktivistëve, kjo është përpjekje për të fshirë historinë e ish-Burgut të Spaçit. 

Gjatë protestës së sotme, kryetari i të përndjekurve antikomuniste Et’hem Fezollari kërkoi që të zbatohet nje projekt restaurimi që nuk prek identitetin e burgut të Spaçit, në të kundërt paralajmëroi protesta të tjera. Madje, bashkë me të tjerët, shtoi se nëse punimet nuk ndalin, do të mblidhen sërish dhe vetë personalisht do të zhbëjnë punën e bërë deri më tani. 

“Jemi mbledhur këtu për të sensibilizuar fillimin e punimeve që po tjetërsojnë identitetin e të vetmit burg që ka mbetur në Shqipëri, që është burgu i Spaçit. I bëjmë thirrje kryeministrit, parlamentit, ambasadave të huaja që të rimendojnë dhe të rivendosin një restaurim që të mos bie ndesh me tjetërsimin e këtij objekti dhe duke patur miratimin e personave që kanë bërë me dhjetëra vite burgje në këtë vend,”- tha kreu i ish-të përndjekurve antikomunistë Et’hem Fezollari.

Një tjetër protestues, kërkoi që historia të mos "lustrohej", por të tregohej ashtu siç ishte!

“Babai im ka bërë 20 vite në këtë burg, por kur kam ardhur te dera, ky tjetërsim nuk më shpie te burgu i babës, më shpie në kampe, sikur kemi qenë në kampe. Këtu ka qenë një derë më gjemba, pas gardhit me gjemba. Kërkojmë të ndalojë kjo masakër për të llustruar vuajtjen tonë,”- tha Napoleon Gumeni, i biri i ish-të përndjekurit, Zef Gumeni.

Në protestë nuk mungoi as shkrimtari Fatos Lubonja, një nga personazhet më të njohur që e ka përjetuar nën lëkurë mizorinë e kampit,  i cili nuk ngurroi që të dilte kundër ndërtimit të objekteve. 

“Siti që është aty flet më shumë se sa ideja që kanë këta, që në fund të fundit është ideja për të bërë një film, për ta përdorur. Duan të bëjnë tarracën siç ka qenë në '73 kur është bërë Revolta, por nuk mund të bëhet kjo për një film,"- u shpreh Lubonja.

Bashkë me protestuesit e tjerë, në tubim ishte edhe kryebashkiaku i Bashkisë së Mirditës, Albert Mëlyshi, i cili bëri me dije se si drejtuesi i qeverisë lokale ka kërkuar informacione për projektin e rikonstruksionit në burgun e Spaçit. Ai ka kërkuar reflektim dhe transparencë për projektin, por ende nuk ka një përgjigje. 

“Kam kërkuar rinformacion për këto punime, projektin e restaurimit, kush e financon dhe cilat janë arsyet e kësaj ndërhyrje. Jemi në pritje të përgjigjeve nga autoritetet përgjegjëse,”- tha kryebashkiaku Mëlyshi.

I vetmi reagim që është bërë deri më tani, është ai i Namik Ajazit. Ky i fundit, kërkon që të xhirojë një film në terren, një film me skenar të Visar Zhitit, të dy ish-të përndjekur politikë. Në mbrojtje të projektit të tij, Ajazi shprehet se projekti synon restaurimin e godinave të degraduara nga braktisja dhe dëmtimi i qëllimshëm.

“Kemi kërkuar që t’i koordinojmë gjërat. Duke përfituar ne nga punimet për ta shndërruar këtë objekt të rrënuar nga vitet e lënies në harresë, mendojmë që një pjesë të këtyre punimeve që po bëhen t’i përdorim edhe ne për realizimin e filmit. Ajo që ne po kërkojmë dhe po mundohemi të jemi pranë në mënyrë vullnetare është mënyra e ndërtimit të punimeve. Në interesin e filmit, meqë është film realist, ne na duhet të kemi një paraqitje të saktë deri në detaje të burgut dhe të ambienteve ku do të xhirohet. Qëllimi i vetëm është që gjithçka që do të bëhet në kuadër të një muzeu, ne të kemi këtë pjesën tonë realistike të filmit, për të kthyer burgun në ato vite kur këtu vuajtën qindra të dënuar dhe ku u bë Revolta e Spaçit. Desha të garantoj të gjitha ata që dyshojnë se mund të preket ajo ç’ka qenë, historia dhe struktura ekzistuese, kjo nuk do të ndodhë. Edhe në bazë të planit të detajuar që kemi parë, kjo nuk preket,"- tha Ajazi. 

Ndërhyrjet restauruese që kanë nisur në Burgun e Spaçit nën mbikëqyrjen e Institutit të Trashëgimisë Kulturore kanë nxitur një debat lidhur me ruajtjen e autenticitetit të kampit. Edhe pse projekti parashikon ndërhyrjen në tetë pika të ndryshme, përfshirë riparim e plotësim të mureve, vendosje portash e parmakësh apo ndërhyrje për rrethimin, kritikët shprehen se kështu preket historia që mbart kampi, ndër më mizorët e regjimit komunist në Shqipëri. Aktualisht ndërhyrjet janë ndërprerë, por për të sqaruar atë që po ndodh, ende nuk ka asnjë reagim zyrtar as nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe as nga ministria e linjës, MEKI./ZËRI

Poll

MOS HUMB