
BURREL- 18-vjeçari që plagosi dje me thikë 17-vjeçarin në shkollën e mesmë në fshatin Baz në Burrel është arrestuar sot. Sipas Policisë, pas një konflikti të çastit adoleshenti plagosi të miturin, i cili vijon të jetë në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Ai akuzohet për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Autori ësht 18-vjeçari, Donald Lepuri, ndërsa i plagosuri, Alban Gjonaj është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Ngjarja ka ndodhur gjatë orës së mësimit të edukimit fizik. Mësohet se Gjonaj është plagosur në brinjë, ndërsa u transferua me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Burime bëjnë me dije se në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Gjergj Kastrioti” në Baz të Burrelit nuk ka oficer sigurie dhe psikologë, ndërsa numri i nxënësve që frekuentojnë shkollën është 96.
“Vihet në pranga 18-vjeçari që plagosi me mjet prerës një 17-vjeçar, dje, në shkollën e mesme të fshatit Baz.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat, në përfundim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Dibrës, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në ambientin sportiv të shkollës së mesme në fshatin Baz, arrestuan në flagrancë shtetasin D. L., 18 vjeç, banues në Laç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Ky shtetas dyshohet se pas një konflikti të çastit ka plagosur me mjet prerës (thikë), një 17-vjeçar, i cili vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, në gjendje jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme”, njofton Policia./ZËRI