BORSH- Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur në Borsh mëngjesin e kësaj të enjteje ndërsa Policia ka arrestuar autorin e ngjarjes, Hekuran Çelaj. Burime bëjnë me dije se i riu Erald Shullazi është qëlluar me armë dhe ka marrë një plumb në shpatull dhe në këmbë. Shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta, por mësohet se i plagosuri aktualisht është në spital, jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbuluar shkaqet dhe rrethanat e plagosjes, por edhe për kapjen e një tjetër personi të përfshirë në ngjarje. Por identiteti i këtij të fundit nuk dihet.
Si ndodhi ngjarja?
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Hekuran Çelaj përfshihet në një konflik fizik për motive të dobëta me E.V., banues në Tiranë. Pas këtij momenti, Çelaj largohet dhe rikthehet sërish me një armë zjarri automatik, duke qëlluar në drejtim të automjetit që drejtohej nga Erald Shullazi.
Njoftimi i Policisë:
Më datë 31.07.2025, rreth orës 02:20, në një lokal në fshatin Borsh, Himarë, shtetasi H. Ç., 42 vjeç, banues në Borsh, dyshohet se është përfshirë në një konflikt fizik, për motive të dobëta, gjatë të cilit është goditur me grushte nga shtetasi E. V., 55 vjeç, banues në Tiranë. Pas këtij momenti, shtetasi H. Ç. është larguar nga ambientet e lokalit dhe është rikthyer me një armë zjarri automatik, me të cilën ka qëlluar në drejtim të automjetit tip “Volksëagen”, me drejtues shtetasin E. Sh., 33 vjeç, duke e plagosur në shpatull dhe në këmbë. Ky shtetas ndodhet aktualisht në spital, jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, dyshohet se shtetasi H. Ç. ka goditur me qytën e armës edhe shtetasin A. D., 43 vjeç.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit H. Ç., për veprat penale “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. Gjithashtu, është shpallur në kërkim dhe shtetasi E. V., për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”. Në vendngjarje janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 4 gëzhoja dhe një krehër me fishekë. Vijon puna për për gjetjen e armës së zjarrit të përdorur në këtë ngjarje si dhe identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të dyshuar të përfshirë në konflikt. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme./ZËRI