TIRANË-Fatjon Baci, gardiani i burgut telefonin e të cilit përdori Erion Veliaj, ka folur me detaje para Prokurorëve të Posaçëm për bisedat që kryebashkiaku i Tiranës ka realizuar gjatë kohës që u transportua nga paraburgimi i Durrësit për në ambientet e gjykatës së posaçme të Apelit.
Baci ka rrëfyer se e ka dëgjuar kryebashkiakun duke qarë teksa fliste në telefon me vëllain dhe bashkëshorten, ku u kërkoi të kujdeseshin për djalin, duke përsëritur se nuk i kishte bërë njeriu keq. Më tej gardiani ka treguar edhe planin që Veliaj kishte për ti shpëtuar burgut.
Fatjon Baci: Sa kemi kaluar shinat, në vendin ku ka qenë një Pazar që shiteshin gjëra të vjetra, Erioni më kërkoi telefonin që të bënte një telefonatë. Unë ia dhashë, dhe foli më vëllanë e tij. Këtë gjë e di se e kam verifikuar më vonë. Nuk i mbaj mend detajet e tjera, por di që ka bërë dhe një telefonatë tjetër me bashkëshorten e tij, ku i tha që të kujdesej për djalin dhe unë dëgjova Erionin që po qante. I thoshte që nuk është e drejtë që djali të rritet vetëm, nuk i kam bërë keq njeriu, nuk ka të mirë për të mirin.
Baci deklaroi se në një nga bisedat ka dëgjuar që ai, Veliaj po fliste për një plan që të bëhej deputet e në këtë mënyrë do të mund të shpëtonte nga burgu. Këtu kryebashkiaku ka përmendur edhe kolegë të tij, si ata që po bëhen deputetë për t’i shpëtuar SPAK-it, ministrin e Mbrojtjes, Ulsi Manjën dhe Tërmet Peçi. Megjithatë, plani i tij përmes imunitetit të deputetit dështoi, pasi nuk u përfshi në listën e kandidatëve të Tiranës.
Fatjon Baci: Nuk e mbaj mend fiks se me kë, për shkak se edhe unë jam i ngarkuar, por Erioni i ka thënë bashkëshortes ose vëllait se: “Të sakrifikonin një nga studentët për deputet, sikur të ishin sëmurë apo nuk ndiheshin mirë nga gjendja shëndetësore, dhe që të futej Erioni si kandidat për deputet, që t’i shpëtonte burgut”. Këtë gjë e thoshte se është Plani B, plani i vetëm për të shpëtuar. Ai mbaj mend se më ka thënë se edhe disa kryebashkiakë të tjerë si Tërmet Peci apo një me mbiemër Malaj, po bëhen deputetë që t’i shpëtojnë SPAK-ut. Po kështu, Erioni gjatë bisedës me gruan ose vëllain, thoshte se Ulsiun e ka nxjerrë ai deputet nga Paskuqani ose Lapraka, por nuk e dinte që mbante anën e SPAK-ut, i thoshte Erioni se Ulsiun e dinte që e kishte mik. Pasi mbaroi bisedat telefonike, Erioni më kërkoi që të lexonte lajmet. lexoi artikujt dhe ma ktheu telefonin. Kur më ktheu telefonin, nuk më tha asgjë. As faleminderit. Kam dorëzuar Erionin në IEVP dhe jam
larguar për në banesë. Gjatë rrugës, verifikova numrat, që ishin po të njëjtët që kishte biseduar një ditë më para. Pra dy numrat, vëllai dhe bashkëshortja. Numrin tjetër që përmenda më sipër që kishte "21" nuk e gjeta. Kam fshirë thirrjet dhe kam vijuar programin tim ditor."
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK, për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa u mor e pandehur për tre akuza, korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim parash. Edhe Fatjon Baçi, u mor i pandehur./ZËRI