
TIRANË- I penduari dhe bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani ka dalë sërish në gjyq. Në seancën me dyer të mbyllura që po mbahet sot në ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dosjen "Plumbi i Artë", ka pasur sërish tensione. Teksa Dumani po jepte dëshminë e tij, është përballur me tone të ashpra nga të arrestuarit, teksa ka pretenduar se ka kryer krime në bashkëpunim me ta.
Në seancë, Gentian Sharra ka pretenduar se në kohën kur e implikon Dumani, ai kishte bizneset e tij, kishte fituar tenderë me shuma prej 2 milionë eurosh dhe posedonte një automjet 50 mijë euro. Pra sipas tij, nuk ka pasur nevojë që të marrë pjesë në grabitjen e Rinasit për të fituar para, pasi kishte gjendje të mirë ekonomike.
Po ashtu, Petrit Qoli, një tjetër i arrestuar, ka thënë se është mbajtur në arrest për 3 vjet për shkak të deklaratave të Dumanit duke lënë jashtë të vetme bashkëshorten e tij, të cilën theksoi se e "dashuronte". Ndërkohë, Enver Diva i ka kërkuar Gjykatës që, pas përfundimit të dëshmisë së Dumanit, e cila po kontestohet nga të arrestuarit dhe avokatët e tyre, gazetarët të lejohen në sallë për të raportuar edhe versionin e tyre në lidhje me ngjarjet që akuzohen.
Gjatë operacionit “Plumbi i artë” i zhvilluar disa vite më parë u lëshuan 32 masa sigurie, ku 9 prej tyre u ekzekutuan në burgje, 9 persona u arrestuan ndërsa 14 të tjerë u shpallën në kërkim. Kjo shifër me kalimin e kohës ka ndryshuar me më shumë të arrestuar. E gjitha nisi pas dëshmive që dha një nga personazhet më të njohur të botës së krimit; Nuredin Dumani. Ky i fundit ka zbërthyer ngjarje kriminale që nga viti 2011 deri në 2022-shin. Dumani ka folur edhe për ngjarje e vrasje të bëra jashtë territorit të Shqipërisë, në Belgjikë, Holandë dhe në Itali./ZËRI