TIRANË-Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të Posaçëm Antikorrupsion, për ish-ministren Olta Xhaçkën dhe bashkëshortin e saj Artan Gaçi. Treshja e gjyqtarëve vendosi kundër rekursit të eurodeputetit Fredi Beleri për hetimin e ish-ministres së Jashtme dhe bashkëshortit të saj Artan Gaçi, lidhur me privatizimin e tokave në Himarë ku do ndërtohej resort turistik, dhe mbi të cilën morën statusin e investitorit strategjik.
SPAK vendosi dy herë mosfillimin e procedimit penal, ku arsyetonte se asnjë e dhënë e sipërfaqeve konkrete nuk ka rezultuar në lidhje me përfitimin e trojeve të sekuestruara apo konfiskuara për shkak të detyrës që ushtronte në atë periudhë Olta Xhaçka.
Në 28 shkurt, GJKKO urdhëroi SPAK të hetojë Artan Gaçin për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i dokumentave”, “pastrim parash” kryer në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Olta Xhaçka për “shpërdorim detyre”. Vendimi i gjykatës erdhi pas ankimit të bërë nga ish-kryebashkiaku i Himarës Fredi Beleri, i cili kërkoi të hetohej edhe Xhaçka dhe bashkëshorti i saj lidhur me kallëzimin që ai më herët ka depozutuar për Jorgo Goron, i cili mbahet në burg që prej marsit të vitit 2023.
Dosja në fjalë lidhet me dhënien e një prone e cila sipas Belerit është tjetërsuar dhe më pas i është shitur Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka. Beleri akuzon në kallëzimin e tij, kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro, Artan Gaçin dhe ZRVPP Vlorë për falsifikimin që i dha 5512 metra katrorë tokë, familjes Foto Pavllo Mëhilli. Kjo pronë e cila është tokë truall, u regjistrua në ATMP si tokë bujqësore dhe më pas iu shit Artan Gaçit. Pas kallëzimit të ngritur SPAK ka vendosur nën sekuestro tokën në Dhërmi dhe ka arrestuar ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro. Ai akuzohet për falsifikim të dokumentave dhe shpërdorim detyre.
Në lidhje me këtë çështje, dyshohet se bashkëshorti i Xhaçkës, Gaçi ka ndikuar tek regjistrimi në Kadastrën e Vlorës, pasi rezulton se është bërë pronari me letra i tokës ku do të ndërtohej resorti “Dreamades Luxury Suites” nga kompania e kunatës së Xhaçkës, e cila tashmë pezulloi kompaninë, duke ia blerë pronën Stavri Mëhillit. Pronësina e tokës nuk ka ende një zgjidhje nga drejtësia, ndërsa askush nuk është dënuar ende, pavarësisht akzuave të ngritura ndaj disa zyrtarëve.
Deri më tani është marrë nën akuzë ish-kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro, pasi hetimet e SPAK treguan se Goro në bashkëpunim me Jerasimo Bushin, drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, në Bashkinë e Himarës, përcollën pranë organeve kompetente dokumenta të falsifikuara duke bërë të mundur regjistrimin e një sipërfaqeje prej 5512 m2 tokë bujqësore, në pronësi të shtetit, në favor të subjektit privat, në pronësi të Foto Mëhillit, babai i Stavri Mëhillit.

