Aktualitet

Prokuroria kërkoi sekuestrim, Gjykata heq masën ndaj ‘Central Park Premium’ në Ksamil: Ka leje ndërtimi!

Në vendimin e dhënë të mërkurën, Gjykata e Sarandës arsyeton se hoteli disponon leje ndërtimi, ndërsa pasuria ku ndodhet objekti ka një numër pasurie të ndryshëm nga prona për të cilën Prokuroria kishte kërkuar vendosjen e sekuestros.

zh.ll
Prokuroria kërkoi sekuestrim, Gjykata heq masën ndaj ‘Central
Pamje nga hoteli ‘Central Park Premium Hotel’

SARANDË- Gjykata e Sarandës ka vendosur heqjen e sekuestros ndaj hotelit “Central Park Premium” në Ksamil, objekt që pak ditë më parë ishte përfshirë në njoftimin e Prokurorisë së Sarandës për një hetim mbi ndërtimet pa leje.

Por, në vendimin e dhënë të mërkurën, Gjykata e Sarandës arsyeton se hoteli disponon leje ndërtimi. Po ashtu, sipas gjykatës, objekti ka një numër pasurie të ndryshëm nga prona për të cilën Prokuroria kishte kërkuar vendosjen e sekuestros.

Në njoftimin e Prokurorisë së Sarandës, disa ditë më parë, hoteli 5-katësh ishte cilësuar si objekt i ndërtuar pa leje, në kuadër të hetimeve të nisura në vitin 2025. Në të njëjtën çështje, ndaj pronarit të hotelit, Kujtim Peposhi, ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, nën dyshimin për veprën penale të ndërtimit të paligjshëm. 

"Prokuroria Sarandë sekuestron ‘Central Park Premium Hotel’ dhe një ndërtim tjetër pa leje në Ksamil, hetime për ‘ndërtim të paligjshëm’ e ‘shpërdorim detyre’. Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Sarandë, u sekuestrua hoteli ‘Central Park Premium Hotel’ me pesë kate pa leje në Ksamil si dhe një objekt pranë tij, me një kat pa leje me 52.2 m2 po në Ksamil.

Ndërkohë u caktua masa e sigurimit ‘Arrest në shtëpi’ për shtetasin K.P. Këto masa u kërkuan nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.522/2025 për veprën penale të “Ndërtim i paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a-4 i Kodit Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë po vijon me kryerjen e veprimeve hetimore për identifikimin dhe individualizimin e përgjegjësisë për të gjithë shtetasit e përfshirë në këtë ngjarje.", njoftonte prokuroria. 

Tashmë, me vendim të gjykatës, është hequr masa e sekuestros ndaj “Central Park Premium Hotel”./ZËRI

Poll

MOS HUMB